Pretendimi: Biden deklaroi se NATO dëshiron të përfshijë Bjellorusinë në Aleancë
Verdikti: E pavërtetë
Përdorues në rrjetet sociale kanë publikuar një video nga debati presidencial në ShBA, mbajtur më 27 qershor në Atlanta, duke pretenduar se Presidenti Joe Biden ka deklaruar se NATO synon të anëtarësojë Bjellorusinë.
“Biden: ‘Bjellorusia është vendi ynë i preferuar i NATO-s”- njofton postimi.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Video mban logon e agjencisë shtetëtore të lajmeve ruse RIA Novosti dhe njëkohësisht është e titruar në rusisht duke ngritur dyshime për një manipulim të mundshëm.
Në videon e shpërndarë, Biden dëgjohet duke folur për liderin rus, Vladimir Putin, duke e cilësuar këtë të fundit si kriminel lufte, por nuk thotë që Bjellorusia është vendi i preferuar I NATO-s.
Edhe në fjalimin e tij të plotë nuk ka asnjë reagim të tillë. Konkretisht, presidenti amerikan thekson: “Fakti është se Putini është një kriminel lufte. Ai ka vrarë mijëra dhe mijëra njerëz dhe ai e ka bërë të qartë një gjë, ai dëshiron të rithemelojë atë që ishte pjesë e Perandorisë Sovjetike, jo vetëm një pjesë. Ai do të gjithë Ukrainën.
Kjo është ajo që ai dëshiron. Dhe pastaj mendoni se ai do të ndalet? A mendoni se ai do të ndalojë nëse merr Ukrainën? Çfarë mendoni se do të ndodhë me Poloninë, me Bjellorusinë? Çfarë mendoni se do të ndodhë me ato vende të NATO-s?”.
Kemi të bëjmë me një manipulim të fjalëve të Biden, që ka për synim të ndikojë në opinionin e brendshëm rus duke krijuar mendimin se NATO është duke kërkuar që të hyjë në territoret të konsideruara si zona tradicionale të ndikimit rus.
Faktoje ka verifikuar një sërë artikujsh të rremë mbi presidentin amerikan Joe Biden.