Pretendimi: Gdhendja në këtë tempull provon se njerëzit përdornin biçikleta 2 mijë vjet më parë

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————–

Përdorues të ndryshëm po shpërndajnë në rrjet imazhin e një basorelievi në Indi për të pretenduar se njerëzit kanë përdorur biçikleta mijëra vjet më parë se ajo të shpikej në Evropë.

Kjo gdhendje ekziston vërtet ne tempullin Panchavarnaswamy në Indi. Ajo është evidentuar të paktën që në 2015 nga Dr. R. Kalaikovan, i Qendrës për Hulumtime Historike Dr. M. Rajamanikkanar.

Në Qershor 2015, Kalaikovan ofroi këtë shpjegim gazetën indiane The Hindu:

“Pas lutjes, duke hedhur një sy përreth, hasa në gdhendjen e një biçiklete në një shtyllë prapa tempullit të Amanit. Ishte kaq qesharake dhe intriguese të shihje imazhin e një biçiklete në një tempull të lashtë. Por as zyrtarët dhe as studiuesi që shkroi historinë e [tempullit], nuk ishin në gjendje të shpjegonin se si erdhi atje. Fillova të hulumtoj këtë fakt.”

Përmes shqyrtimeve të shumta në historinë e biçikletës (e cila u shpik në Gjermani në vitet 1800), dhe tempullit Woraiyur të epokës Chola, ai teorizoi se mjeti ishte ndoshta një risi në Tiruchin e viteve 1920, kur tempulli ishte rinovuar. “Ndoshta skulptori kishte parë dikë me biçikletë, i kishte bërë përshtypje dhe e kishte regjistruar përgjithmonë në gur”, thotë Dr. Kalaikovan.

Pra, gdhendja e biçikletës në tempullin mijëravjeçar ka gjasa që është shumë më e re se tempulli, dhe është krijuar në shekullin XX, pas shpikjes së biçikletës.
Kjo nuk është hera e parë që “zbulimi” i një përshkrimi të një objekti modern në muret e një strukture të lashtë ka shërbyer si ushqim për një teori konspirative. Fotografitë që tregojnë një gdhendje të një astronauti në murin e një katedrale spanjolle të shekullit të 12-të kanë qarkulluar prej vitesh së bashku me teoritë rreth fenomeneve “të pashpjegueshme”. Verifikuesit e fakteve të Snopes.com, kanë verifikuar si një rast të ngjashëm me këtë gdhendje me biçikletë, të “astronautit të lashtë”, i cili iu shtua katedrales gjatë një rinovimi të kryer në vitet 1990. Një gdhendje e një “celulari të lashtë të huaj” u zbulua gjithashtu në mënyrë të ngjashme si vepër e një artisti modern.