Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi qeverinë se ka vendosur një nivel shumë të lartë taksash mbi naftën që rrit çmimin e tregëtimit të saj por ndikon njëkohëisht edhe në rritjen e çmimeve të produkteve për shqiptarët. Verifikimi i Faktoje tregon se Shqipëria hyn në 10 vendet me çmimin më të lartë të naftës në botë dhe se niveli i taksimit mbi naftën, krahasuar me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën është shumë më i lartë. Ekspertët argumentojnë sesi ky çmim sjell si pasojë rritjen e çmimit të produkteve për qytetarët.

Jona Plumbi

Në një konferencë mediatike, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha denoncoi çmimin e lartë të naftës në Shqipëri për shkak të taksave të larta dhe ndikimin e tij drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të produkteve për qytetarët.

Berisha krahasoi çmimin e naftës në Shqipëri me atë të vendeve fqinje, por edhe atyre europiane dhe botërore, që kanë një nivel shumë më të lartë të ardhurash për frymë.

Në 7 prill të dy viteve më parë nafta në bursë ka qenë 97.2cent, në Shqipëri është shitur me 228 lekë, ose 2,2 euro. Në mars të po këtij viti, nafta në Maqedoni shitej me 1.3 euro. Në Slloveni shitej me 1.4 euro dhe në Austri me 1.35 euro. Nafta në Luksemburg shitej 1.1 euro, ndërsa në Shqipëri shitej 2.6 euro. Nafta në Shqipëri shitej 239 lekë…ndërsa në SHBA atë ditë nafta shitej 0.8 dollarë, pra pothuajse 3 herë më lirë se në Shqipëri”, deklaroi kryetari i demokratëve, Berisha.

Shkak për këtë çmim shumë herë më të lartë në Shqipëri, sipas tij, janë taksat e vendosura mbi naftën, që shkojnë deri në 113 lekë taksa për çdo litër naftë që shqiptarët ja paguajnë shtetit.

Nisur nga kjo deklaratë Faktoje vendosi të kryejë një verifikim të çmimit të naftës në Shqipëri.

Çmimi i naftës në Shqipëri krahasuar me shtete të tjera

Nga shifrat e Global Petrol Price rezulton se Shqipëria është një prej vendeve me çmimin më të lartë të naftës në botë.

E renditur e 10-ta, Shqipëria e shet naftën (173 lekë/litër) më shtrenjtë se të gjitha vendet e rajonit, Maqedonia e Veriut (112.5 lekë/litër), Serbia (165 lekë/litër), Mali i Zi (132 lekë.litër), Bosnjë Hercegovina (122 lekë/litër).

Nga një vëzhgim në terren të datës 9 Janar shihet se nafta në Shqipëri në pikat e karburantit tregëtohej me 175lekë/litër, ndërsa në Karolinën e Veriut në SHBA, me 84 lekë/litër (0.89$), dy herë më pak se në Shqipëri.

çmimi i naftës në Tiranë, 9 Janar 2025
çmimi i naftës në Karolinën e Veriut, USA 9 Janar 2025

Sa i përket shifrave të referuara nga Berisha, Faktoje vërtetoi se nafta në datën 4 Prill 2022 në bursë kushtonte 97 dollarë për fuçi. E përkthyer në litra, ky çmim është 60 cent ose 55 lekë për litër.  Në Shqipëri, vetëm dy ditë më vonë, në 6 Prill 2022 nafta shitej me 228 lekë/litër.

Ndërkohë, në po të njëjtën datë, 6 Prill 2022, çmimi i naftës në Maqedoninë e Veriut ishte 130 lekë/ litër (82 MKD).

Në mars të vitit 2022, nafta në shtetin fqinj të Maqedonisë së Veriut është shitur në rastin më të mirë me rreth 120 lekë/litër (75.3 MKD) dhe në rastin më të keq me 154 lekë/litër (97 MKD).

Ndërkohë në Shqipëri, çmimi i naftës në mars të po atij viti u vendos nga Bordi i Transparencës, në rastin më të mirë me 197 lekë/litri dhe në rastin më të keq 245 lekë/litri. Në Slloveni çmimi i naftës shitej me 185 lekë/litër (1.54 euro) në mars të 2022-shit, ndërsa në Austri ky cmim ishte mesatarisht 210 lekë/litër (1.75 euro).

Viti 2022 përkon me sanksionet e vendosura nga Bashkimi Europian ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë. Kjo solli rritjen e cmimit të naftës në të gjithë botën. Pavarësisht kësaj, shifrat tregojnë se çmimi i naftës në Shqipëri ishte më i lartë krahasuar me vendet fqinje apo botërore.

Taksat mbi naftën

Shkak për çmimin e lartë të naftës, Luigj Aliaj nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve gjithashtu njeh nivelin e lartë të taksimit. Sipas tij ngarkesa tatimore në total mund të arrijë nga 100 deri në 120 lekë/litër, pasi ndryshon nga kursi i këmbimit, çmimi i blerjes në bursë dhe inflacioni.

Arsyeja e vendosjes së taksave kaq të larta ka qenë se ndër vite shteti duke parë dobësi në mbledhjen e taksave ka gjetur karburantet si mënyrë më të thjeshtë për të mbledhur taksa. Për këtë arsye Shqipëria ka taksa të çuditshme që askush në botë nuk i ka si për shembull taksa për përdorim rruge, taksa për pompat, për skanim, apo për rilicensim” – Luigj Aliaj, Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve

*faksimile e taksave mbi naftën të publikuara nga kreu i PD, Sali Berisha

Verifikimi i Faktoje tregon se në Maqedoninë e Veriut vlera e taksave mbi naftën përllogaritet të jetë 46.5 lekë/litër.

Depozitim9.7 lekë/litër
Transport1.6 lekë/litër
Taksë mjedisi0.048 lekë/litër
Kompensim për rezerva të detyrueshme0.48 lekë/litër
Akciza24.76 lekë/litër
TVSH 10%9.95 lekë/litër
Totali i taksave46.5 lekë/litër
*taksat mbi naftën në Maqedoninë e Veriut

Çmimi tavan i shitjes së naftës në Maqedoninë e Veriut në 13 janar 2025 u përcaktuar nga Komisioni Rregullator të ishte 117.40 lekë/ litër.

Nga këto të dhëna rezulton se vlera e taksave të naftës në Shqipëri është thuajse sa çmimi tavan i shitjes së naftës në Maqedoninë e Veriut.

Në anën tjetër, në Kosovë taksat mbi naftën janë dy. Akciza që kushton 0.36 lekë për litër naftë dhe TVSH-ja 18% që arrin në vlerën 24 lekë. Në total vlera e taksave llogaritet rreth 60 lekë për litër naftë.

Tatimi doganor vlen vetëm për rastet kur nafta importohet nga vende me të cilat Kosova nuk ka një marrëveshje të tregëtisë së lirë. Aktualisht Kosova ka marrëveshje me vendet e bashkimit Europian, CEFTA-n, EFTA-n, Turqinë etj. Çmimi i naftës në Kosovë në Janar arriti vlerën 154.49 lekë/litër.

Ndikimi i çmimit të naftës tek produktet

Eksperti i ekonomisë, Eduart Gjokutaj, liston disa arsye të ndikimit të drejtpërdrejtë por edhe të tërthortë të lidhjes mes çmimit të naftës dhe çmimit të produkteve në Shqipëri si rritja e kostove të transportit, ndikimi në prodhimin e brendshëm, efekti domino në tregun e importeve dhe eksporteve, inflacioni dhe fuqia blerëse si dhe impakti në sektorët e tjerë ekonomik.

Ai shpjegon për Faktoje se kur çmimi i naftës rritet për shkak të taksave të larta, kostot e transportit rriten ndjeshëm. Këto kosto transmetohen te bizneset, të cilat më pas i kalojnë konsumatorit përmes çmimeve më të larta të produkteve.

Sektorët si bujqësia varen shumë nga nafta për pajisjet, makineritë dhe transportin. Rritja e çmimit të naftës ndikon drejtpërdrejt në çmimet e produkteve bujqësore. Taksat e larta mbi naftën krijojnë një zinxhir efektesh në ekonomi, duke rritur kostot e transportit dhe prodhimit dhe duke çuar në rritje të përgjithshme të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve. Kjo ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve dhe mund të pengojë konkurrencën ekonomike të vendit” – Eduart Gjokutaj, ekspert ekonomie.

Për të zbutur këtë ndikim, mund të konsiderohen masa si ulja e taksave mbi naftën, diversifikimi i burimeve të energjisë, apo stimulimi i prodhimit lokal për të ulur varësinë nga importet, sugjeron ai.

Përfundim

Nisur nga këto të dhëna, deklaratën e kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha lidhur me çmimin e naftës në Shqipëri si më të lartin në rajon dhe më gjerë, e shkaktuar nga niveli i lartë i taksave të vendosura të cilat prekin jo vetëm përdoruesit e automjeteve por edhe sjellin si pasojë direkte rritjen e çmimeve të konsumit për qytetarët e kategorizojmë si të vërtetë.

Artikulli paraprakLëvdatat e Trump për Albin Kurtin të gjeneruara nga AI
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë