Pretendimi: Fred Beleri i dyti më i votuar në zgjedhjet evropiane në Greqi
Verdikti: E pavërtetë
Barbara Halla
Edhe pse vazhdon të jetë i burgosur në Shqipëri, Alfred Beleri ka fituar një vend në Parlamentin Evropian si pjesë e koalicionit të partisë greke Demokracia e Re, e drejtuar nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis. Megjithatë, në mediat shqiptare raportimi mbi këtë rezultat ka pasur gabime dhe pakujdesi të ndryshme. Një nga rastet e përhapura këto ditë e përshkruan Belerin si kandidatin e dytë më të votuar në Greqi për zgjedhjet evropianë, gjë që nuk është e vërtetë.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Greqisë, Beleri ka fituar 238.801 vota në total. Ashtu siç e kanë konfirmuar dhe media të tjera shqiptare, Beleri nuk ishte kandidati i dytë më i votuar në Greqi. Ai ishte i katërti më i votuari si brenda listës së Partisë Demokracia e Re, edhe në përgjithësi në krahasim me 21 eurodeputetët që Greqia do të ketë në Parlament.
Në total, Demokracia e Re fitoi 7 vende në Parlamentin Evropian duke marrë 28.3% të votave, ndërkohë që 14 eurodeputet e tjerë ndahen në pesë grupime të tjera politike.
Duke qënë se Beleri ishte në burg, fushata elektorale e tij në Greqi u organizua dhe udhëhoq nga i biri, Petro Beleri. Siç u raportua dhe nga mediat greke e ato shqiptare, Petro Beleri ishte i ftuari i Mitsotakis në disa nga takimet që ky i fundit bëri si pjesë e fushatës më të gjerë me partinë Demokracia e Re. Që prej arrestimit të tij, politikanët grekë të grupimeve të ndryshme kanë dalë në mbështetje të Belerit dhe kanë shtuar trysninë ndaj qeverisë Rama që ai të lirohet nga burgu.