Bashkitë performacë të dobët në prag zgjedhjesh, 35% më pak arkëtime

674

Në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit, arkëtimet e taksave lokale nga bashkitë rezultojnë me rënie. Pushteti vendor ka mbledhur 5 miliardë lekë të ardhura nga taksat për periudhën janar-mars, me një rënie vjetore prej 35%. Shifrat zyrtare ilustrojnë fenomenin që përsëritet sa herë ka zgjedhje në Shqipëri. Por krahas fushatës, ekspertët rendisin edhe disa problematika që ndikojnë në performancën e dobët të bashkive, siç është me modeli i administrimit të tyre. 

Esmeralda Topi 

Nga janari në mars, administrata tatimore vendore ka arritur të mbledhë vetëm 5 miliardë lekë të ardhura nga taksat lokale, taksat mbi ndërtesat dhe ato ndaj biznesit të vogël. Në prag të zgjedhjeve lokale të 14 majit, treguesit fiskalë tregojnë se arkëtimet e pushtetit vendor kanë rënë me 35% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. 

Burimi: Ministria e Financave

Përformancë të dobët kanë shënuar të tre zërat, por ndikimin më të lartë negativ e dhanë të ardhurat nga taksat lokale, të cilat rezultuan vetëm 4 miliardë lekë në dymujor, nga 6.6 miliardë lekë që ishin në të njëjtën periudhe të vitit të kaluar.

Burimi: Ministria e Financave 

Këto rezultate tregojnë se fushatat zgjedhore e dëmtojnë buxhetin e bashkive në aspektin e të ardhurave, si kur kemi zgjedhje lokale po ashtu edhe kur mbahen zgjedhje të përgjithshme. 

Nga verifikimet rezulton se gjatë periudhës janar-mars të vitit të kaluar administrata tatimore vendore ka grumbulluar 7.8 miliardë lekë nga taksat, ndërkohë që për të njëjtën periudhe të vitit 2021, që ka qënë një vit zgjedhor, arkëtimet e pushtetit vendor rezultojnë 4.9 miliardë lekë. 

Si e shohin ekspertët? 

‘Rënia e të ardhurave të veta është sa e lidhur me modelin e administrimit që zbatojnë bashkitë, po ashtu edhe me një vëmendje të pakët dhe monitorim të ulët nga Ministria e Financave për financat vendore’, thotë Eduart Gjokutaj, ekspert i politikave fiskale dhe administrimit të taksave. Ai shton se modeli i administrimit tatimor vendor është larg objektivave të strategjisë për të ardhurat, si dhe me mangësi të thella në kapacitetet dhe trajtimin nga politika qendrore.

“Në radhë të parë, që nga shpërndarja e programit të të ardhurave nga MFE, e cila në muajt e parë të vitit planifikon nivele më të ulëta taksimi vjetor, si dhe ndikimi i fushatës zgjedhore në një mjedis tejet të ndikuar nga politika japin efektet e dukshme dhe me pasoja për vijimësinë e buxhetit vendor. Treguesit e ulët të mbledhjes së të ardhurave të veta prej bashkive është treguesi i drejtpërdrejtë i mosrespektimit të statusit të nëpunësit civil, si dhe Kodit të Integritetit apo Kodi i sjelljes i firmosur pothuajse në të gjitha bashkitë që detyron një zbatim korrekt të detyrave.” , shprehet Gjokutaj. 

Edhe kryetari i Shoqatës së Bashkive, Agron Haxhimali rendit disa arsye që sipas tij kanë ndikuar performancën e dobët të njësive të vetqeverisjes vendore në grumbullimin e taksave në prag zgjedhjesh. 

“Arsyeja e parë qendron mbi efeket dhe procedurat administrative. Pra taksapaguesit njoftohen nga bashkitë mbi detyrimet vjetore gjatë janarit, shkurtit apo dhe marsit. Taksapaguesve u jepen afatet kohore fundore të kësteve të pagesës brenda prillit. Kjo përkthehet në raportime në mbyllje të tremujorit të parë me mungesën e të ardhurave. Një tjetër arsye jo më pak e rëndësishme është dhe qëllimi i bashkisë për t’u shfaqur “tolerante” apo për t’i lënë në “harresë” pagesat duke mos dërguar njoftimet në kohë për detyrimet qoftë ndaj qytetareve apo biznesit, për tërheqje votash. Një tjetër arsye është edhe pamundësia e subjekteve të çdo grupi për të paguar në kohë detyrimet vendore, si pasojë e mungesës së likuiditeteve.”, argumenton Haxhimali për Faktoje, duke theksuar se kultura e mbledhjes së taksave dhe tarifave duhet të ndryshojë sikurse edhe mendësia e të paguarit të tyre. 

‘Shthurja’ e administratës tatimore në prag zgjedhjesh, duke mbyllur njërin sy në mbledhjen e taksave është një fenomen i përsëritur në Shqipëri. 

Ky shkrim u publikua në kuadër të projektit “Nxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartë” mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) dhe zbatuar nga Faktoje.