Pretendimi: Ligji i ri lejon qeveritë evropiane të lexojnë mesazhet private të qytetarëve
Verdikti: Mungon Konteksti
Barbara Halla
Në portalet shqiptare po qarkullon lajmi se një nismë e re ligjore do t’i bëjë publike të gjitha mesazhet private të qytetarëve në WhatsApp dhe Signal. Ky artikull ka nxjerrë nga konteksti duke keqinterpretuar qëllimin e propozimit në nivel evropian dhe detajet e funksionimit të tij.
Bëhet fjalë për një nismë ligjore që po diskutohet nga Parlamenti dhe Këshilli Evropian për të mbrojtur fëmijët nga abuzimet seksuale duke synuar ndalimin e shpërndarjes së materialeve pornografike me fëmijët.
Për më tepër, autorët e artikullit pretendojnë se ky projektligj do të bëjë publike mesazhet e qytetarëve. Në fakt, projektligji parashikon përdorimin e një algoritmi, përmes të cilit, mesazhet e qytetarëve do të skanohen për të verifikuar nëse ka fjalë apo imazhe që flasin për abuzimin e fëmijëve. Pra mesazhet nuk do të bëhen publike apo te aksesueshme për publikun e gjerë, por vetëm për autoritetet.
Brenda artikullit pohohet po ashtu se ky ligj nuk përfshin mesazhet zanore. Për më tepër, përdoruesit e këtyre aplikacioneve, nëse ligji kalon në Parlament, do të kenë mundësinë të mos i pranojnë kushtet, edhe përse kjo do t’jua bënte të pamundur përdorimin e mëtejshëm të këtyre aplikacioneve.
Është e vërtetë që ligji në fjalë është kritikuar ndjeshëm nga ekspertë të të drejtave personale pasi mund të cënojë privatësinë e përdoruesve të këtyrë aplikacioneve. Megjithatë, në artikujt në fjalë ligji parashtrohet si i pashmangshëm, kur në të vërtetë ai është sfiduar nga brenda Bashkimit Evropian, duke përfshirë nga përkrahësit e të drejtave të fëmijëve, të cilët nuk mendojnë se legjislacioni është i mjaftueshëm. Ligji ka ngecur disa herë në Këshillin Evropian dhe mendohet se nuk do të jetë një prioritet për Hungarinë, e cila ka marrë presidencën e Bashkimit Evropian për gjashtë mujorin e dytë të vitit.