Bashkimi Europian nuk miratoi survejimin masiv të mesazheve

5

Pretendimi: BE miratoi ligjin e survejimit masiv pas shtyrjes së afatit të kontrollit të mesazheve 

Verdikti: Mungon konteksti

Një artikull i publikuar më 27 gusht 2026 nga Patriotik Media pretendon se Bashkimi Europian ka miratuar një “ligj të survejimit masiv”, duke paralajmëruar se Europa po shkon drejt “fundit të privatësisë”.

Pretendimi lidhet me rregullat e BE-së për zbulimin e materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve në internet, të njohura në debatin publik si “Chat Control”. Paraqitja e tyre si një ligj i miratuar për “survejim masiv” lë jashtë elementë të rëndësishëm të procesit dhe kufizimet e vendosura nga institucionet europiane.

Më 11 mars 2026, Parlamenti Europian votoi për zgjatjen e një mase të përkohshme që lejon ofruesit e shërbimeve online të përdorin teknologji për të zbuluar, raportuar dhe hequr materiale të abuzimit seksual të fëmijëve. Parlamenti mbështeti zgjatjen e masës deri në gusht 2027 dhe kërkoi që përdorimi i teknologjive të zbulimit të ishte i kufizuar dhe proporcional dhe skanimet lejohen vetëm për përdorues të dyshuar, me autorizim gjyqësor.

Pas pesë muajsh, çështja u kthye sërish për shqyrtim në Parlamentin Europian me kërkesën e një pjesë të eurodeputetëve për përjashtimin e komunikimeve me enkriptim ‘end-to-end”. Për shkak të mungesës së arritjes së shumicës prej 360 votash në këtë propozim për ndryshim, paketa ligjore u miratua me procedurën e “leximit të dytë”, një procedurë e parashikuar në legjislacionin europian, duke ngjallur debate në publik dhe eurodeputetët që ishin kundër. 

Më 23 korrik 2026, Këshilli i BE-së dha miratimin përfundimtar për një masë të përkohshme që u lejon ofruesve të shërbimeve online të kryejnë në mënyrë vullnetare zbulimin, raportimin dhe heqjen e materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve. 

Këshilli e përshkruan masën si të përkohshme, ndërsa institucionet europiane vazhdojnë negociatat për një kuadër të përhershëm ligjor. Dokumentet e Këshillit përcaktojnë gjithashtu kushtet dhe masat mbrojtëse që lidhen me përdorimin e këtyre teknologjive.

Kuadri i përhershëm europian për parandalimin dhe luftimin e abuzimit seksual të fëmijëve online ende nuk është përfunduar.

Institucionet europiane vazhdojnë negociatat për të ashtuquajturin “CSA Regulation”. Masa e miratuar në korrik është një zgjidhje e përkohshme, ndërsa ligji i përhershëm është ende pjesë e procesit legjislativ.