.

.

BallinaBurokraciBashkia Shijak refuzon të përgjigjet zyrtarisht për çështjen e mbetjeve

Bashkia Shijak refuzon të përgjigjet zyrtarisht për çështjen e mbetjeve

Bashkia e Shijakut refuzoi t’i përgjigjej listës me 25 pyetje mbi krizën e mbetjeve në këtë territor. Ndërkohë që e ankimoi te Komisioneri, moskthimin e përgjigjes, Faktoje konstatoi këtë të mërkurë se koshat e mbeturinave brenda në qytet ishin zbrazur, ndërsa në fshatra ato janë ende nëpër rrugë. Deri më tani nuk ka një sqarim zyrtar se ku po depozitohen mbetjet e Shijakut, ndërsa deklaratat mediatike të kryebashkiakut Arbana bien në kontradiktë me përgjigjen e landfillit të Sharrës që mohon të ketë pranuar mbetje nga kjo bashki.


Kriza e mbetjeve që po vijon të shtrihet në të gjitha bashkitë e qarkut Durrës, ishte paralajmëruar nga Faktoje që në fillim të muajit gusht. Paraprakisht Faktoje kishte bërë verifikime në terren dhe kishte grumbulluar informacione të faktuara se me mbylljen e landfillit të Porto Romanos dhe mungesën e fondeve, për shkak të arkëtimeve të dobëta të taksave vendore, situata po dilte jashtë kontrollit edhe në bashkitë e tjera, si përshembull ajo e Shijakut. Për këtë arsye, nw 11 gusht Faktoje iu drejtua me një kërkesë të detajuar me 25 pyetje bashkisw Shijak ku kërkuam informacion: për mbetjet inerte, burimet e financimit, plani për zgjidhjen përfundimtare, strategjinë afatgjatë për menaxhimin e mbetjeve.

Në përfundim të afatit ligjor prej 10 ditësh pune, Bashkia Shijak nuk ktheu përgjigje, pavarësisht interesit të lartë publik për situatën emergjente mjedisore të krijuar.

Më poshtë janë 25 pyetjet dërguar këtij institucioni:

  1. Sa ton mbetje në vit ka prodhuar bashkia Shijak për vitet 2015-2020 (vlerat faktike)?
  2. Sa janë parashikimet e mbetjeve në vit në ton për vitet 2021-2036?
  3. Ku bazohen parashikimet e mbetjeve për pikën 2 më lart? Ju lutem na vendosni në dispozicion studimin përkatës.
  4. Sa është kohëzgjatja e kontratës që planifikoni të nënshkruani me landfillin e Sharrës?
  1. Sa është çmimi për ton mbetje që po negociohet në zbatim të kontratës më landfillin e Sharrës?
  1. Sa janë parashikimet e kostove buxhetore për secilin vit të kontratës sipas viteve?

Për mbetjet inerte

  1. Sa ton mbetje inerte ka prodhuar Bashkia Shijak gjatë viteve 2015-2020?
  2. Sa janë parashikimet e mbetjeve inerte për vitet 2021-2036?
  3. Ku bazohen parashikimet e mbetjeve për pikën 2 më lart? Ju lutem na vendosni në dispozicion studimin përkatës.
  4. A do të depozitohen mbetjet inerte në landfillin e Sharrës?
  5. Kush do të paguajë për përpunimin e mbetjeve inerteve, biznesi apo buxheti i bashkisë?
  6. Sa është tarifa për ton mbetjesh inerte që po negociohet me landfillin e Sharrës?
  7. Sa janë parashikimet e kostove për secilin vit të kontratës për mbetjet inerte?

Mbi burimet e financimit

  1. Sa është mbështetja buxhetore që do të kërkojë Bashkia Shijak nga qeveria për secilin vit të kontratës?
  1. Sa është buxheti i mbetur për muajit e vitit 2021 për menaxhimin e mbetjeve?
  2. Sa është kostoja e parashikuar për muajit e mbetur të vitit 2021 për menaxhimin e mbetjeve në Landfillin e Sharrës?
  3. Sa janë kostot për muajt e mbetur të vitit 2021, përveç pagesave në landfillin e  Sharrës si psh: pagat, sigurimet, kompanitë e grumbullimit dhe transportit të plehrave?
  1. Sa është nevoja për fonde shtesë për vitin 2021 dhe për vitet e tjera në vijim si rezultat i marreveshjes me landfillin e Sharres?
  1. Cilat janë burimet e financimit të bashkisë?
  2. A parashikoni që të rritet tarifa e pastrimit në vitet në vazhdim?
  3. Na dërgoni dokumententacion që keni dërguar në Ministrinë e Financave në lidhje me nevojën për mbështetjen buxhetore apo për të përfituar nga fondet e qeverisë.
  4. Në planin afatgjatë, çfarë masash do të marrë bashkia Shijak për qëndrueshmërinë financiare të saj dhe uljes së nevojës për t’iu drejtuar buxhetit të shtetit?

Strategjia afatgjatë e menaxhimit të mbetjeve në Bashkinë Shijak

  1. Dërgimi në landfillin e Sharrës është zgjidhje e përkohshme apo e përhershme?
  2. Nëqoftëse është një zgjidhje e përkohshme, çfarë zgjidhje po mendon Bashkia Shijak për të vënë në zbatim gjatë përiudhës së kontratës me landfillin e Sharrës?
  1. Sa janë kostot e shpenzimeve kapitale për krijimin e një landfilli për bashkinë tuaj?
  1. A po e mendoni si zgjidhje PPP siç vepruan Bashkitë e Qarkut të Tiranës?

Kërkesa zyrtare për informacion drejtuar Bashkisë Shijak, dërguar më 11 gusht 2021.

Këtë të mërkurë, pasi e ankimoi te komisioneri për të drejtën e Informimit moskthimin e përgjigjes, Faktoje shkoi sërish në terren ku konstatoi se brenda qytetit të Shijakut mbeturinat ishin pastruar, ndërsa në fshatra ato gjendeshin ende nëpër rrugë.

Foto të koshave të zbrazur brenda qytetit, 25 Gusht 2021

Foto të koshave të tejmbushur në zonën e Pjezës, 25 Gusht 2021

Një përgjigje zyrtare, nga ana e bashkisë do të sqaronte se ku po depozitohen këto mbetje, pasi deklaratat mediatike të kryebashkiakut Elton Arbana janë në kontradiktë me atë çfarë thotë Landfilli i Sharrës, i cili ka mohuar të ketë pranuar mbetje nga kjo bashki. Faktoje duke kërkuar sërish transparencë për këtë çështje, i dërgoi kërkesën e radhës Bashkisë Shijak, edhe këtë të mërkurë.

Kërkesa dërguar Bashkisë Shijak me datë 25 Gusht

Mungesa e transparencës për venddepozitimin e mbetjeve, u raportua nga Faktoje pak ditë më parë, gjatë verifikimit të deklaratës së radhës nga kryebashkiaku Elton Arbana.

 

 

 

 

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img