Pretendimi: Polonia ka nxjerrë një ligj kundër ekspozimit të simboleve fetare në ambjente publike

Verdikti: Mungon konteksti


Barbara Halla

rrjetet sociale po qarkullon së fundi lajmi se Varshava, kryeqyteti i Polonisë, ka ndaluar simbolet fetare në ambjentet publike, si dhe po detyron popullin vendas të përdorë përemrat e preferuar për personat transgjinor. Ky lajm është nxjerrë nga konteksti dhe përmban elemente të pasakta, të cilat po përdoren për të sulmuar qeverinë polake me narrativa që vijnë nga mediat ruse, tashmë në prag të zgjedhjeve për parlamentin europian.

Së pari, këtu nuk bëhet fjalë për një ligj të ri, por për udhëzime të brendshme të lëshuara nga bashkia e Varshavës për të luftuar diskriminimin bazuar në moshë, gjini, origjinën kombëtare, fenë, besimin, orientimin seksual, identitetin gjinor dhe aftësitë. Për më tepër, kjo rregullore nuk synon të gjithë popullsinë vendase, por do të jetë e detyrushme vetëm për punonjësitë e administratës së kryeqytetit, por jo vendeve si shkollat, bibliotekat, apo qendrat sociale dhe kulturore.

Kjo lëvizje është pjesë e një politike më të gjerë të qeverisë polake, e drejtuar nga kryeministri Donald Tusk, për të ndarë kishën nga qeveria. Ndikimi i madh i Kishës Katolike në Poloni ka mbështetur disa politika konservatore, si ndalimi i abortit.

Një nga pikat kryesore të këtyre udhëzimeve përfshijnë respektimin e qytetarëve që vijnë në institucionet shtetërore, si dhe gjuha që do të përdoret ndaj tyre. Punonjësit duhet të respektojnë të drejtat e çifteve të të njëjtit seks, të personave me aftësi ndryshe, si dhe personave transgjinor.

Por ajo që ka shkaktuar më shumë debat edhe në Poloni, është vendimi për të ndaluar simbolet fetare në institucionet shtetërore të kryeqytetit. Udhëzimet thonë se “hapësirat e zyrës janë vende neutrale nga ana fetare”, dhe kështu “në ndërtesat e zyrës në dispozicion të qytarëve dhe gjatë evenimenteve të organizuara nga bashkia, nuk duhet të ekspozohen në hapësirat ( p.sh. në mure, në tavolina) simbole që lidhen me një fe ose fe të caktuara.”  Varshava ëshë qyteti i parë në Poloni që merr këtë vendim.  

Duhet vënë në dukje se nuk janë ndaluar mbajta e simboleve personale, si varëse me kryq apo shenja të tjera fetare. Kryebashkiaku i Varshavës, Rafał Trzaskowski, specifikoi në një intervistë se ky udhëzim “do të zbatohet për hapësirën e zyrës. Kjo nuk vlen për individët, nuk vlen për spitalet, nuk vlen për shkollat, kjo nuk vlen për qendrat e mirëqenies sociale.”

Polonia është një vend laik, kushtetuta e të cilës vë theksin mbi lirinë si të fesë dhe të atyre që nuk kanë bindje fetare. Ajo parashikon se marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe kishave dhe organizatave të tjera fetare duhet të bazohet në parimin e respektimit të autonomisë dhe pavarësisë reciproke. Megjithatë, 85% e popullsisë e konsideron veten katolik dhe Kisha Katolike ka një pozicion të privilegjuar në jetën publike dhe private në Poloni.

Vendimi i Varshavës ka shkaktuar komente dhe debate të shumta. Pjesëtarët e opozitës si dhe Kisha Katolike në Poloni e kane akuzuar Trzaskowski për diskriminim ndaj katolikëve. Megjithatë, sipas avokatëve të cituar në një artikull që verifikon këto pretendime, udhëzimet e bashkisë së Varshavës nuk bien ndesh me kushtetuën, por thjesht zbatojnë ligjet e saj.

“Liria e ndërgjegjes nuk është absolute. Njerëzit që pretendojnë një fe të caktuar nuk mund të detyrojnë simbolet e tyre fetare të shfaqen në një vend të caktuar publik. Kjo vendoset gjithmonë nga personi përgjegjës për funksionimin e një vendi të caktuar – në këtë rast kryetari i Bashkisë së Varshavës. Nëse ai vendos që simbolet fetare nuk do të vendosen në institucionin nën mbikëqyrjen e tij, ai ka të drejtë ta bëjë këtë, veçanërisht kur theksohet qartë se punonjësit ende ruajnë të drejtën për të përdorur simbolet fetare personalisht”, shkruan avokati Mateusz Radajewski në një analizë për faqen Konkret24.

Nevojitet të theksohet se një nga burimet më të zëshme të këtij lajmi janë portale ruse dhe pro-ruse, si Russia Today. Këtu bëhet fjalë për propagandë ruse dhe konservatore që ushqen narrativat kundër qeverisë liberale të Polonisë disa javë para zgjedhjeve të Parlamentit Europian. Siç mund të shihet dhe në komentet e postimeve në rrjetet shqiptare, politikat që ndajnë kishën nga shteti dhe luftojnë diskriminimin përshkruhen si politika globaliste që duan të rrënojnë traditat vendase. Këto narrative përdoren shpesh nga Kremlini për të shtrirë ndikimin rus dhe godasin besimin në demokraci.