.

.

BallinaBurokraciBashkia Cërrik përgjigjet 2 muaj me vonesë për kushtet në shkollën “Rushan Qevani” dhe mohon të ketë mungesë ngrohjeje

Bashkia Cërrik përgjigjet 2 muaj me vonesë për kushtet në shkollën “Rushan Qevani” dhe mohon të ketë mungesë ngrohjeje

Nxënësit e shkollës “Rushan Qevani” në Cërrik do vazhdojnë të zhvillojnë mësim në kushte të vështira, pasi ende nuk është bërë tenderimi për rikonstruksionin e saj. Bashkia e Cërrikut në një përgjigje që vonoi rreth 2 muaj, pas kërkesës për informacion të dërguar nga Faktoje, sqaron se e ka gati projektin për rikonstruksionin e kësaj shkolle, por mohon të ketë pasur probleme me ngrohjen.

Në fund të muajit janar, deputeti demorkat Luçiano Boçi ngriti shqetësimin në lidhje me kushtet në shkollën “Rushan Qevani” në Cërrik.

“Gjendja fizike e shkollave kudo është katastrofike. Mungon jo vetëm ngrohja, por edhe gjërat më elementare. Një rast ulëritës është dhe shkolla ‘Rushan Qevani’ që ndodhet në Selvias. Shkolla është në pushtetin e lagështirës për shkak të degradimit të hidroizolimi”- shkruante në profilin e tij në Facebook deputeti i qarkut Elbasan, Luçiano Boçi.

Më 23 shkurt, Faktoje bëri një verifikim në këtë shkollë, për të parë nga afër kushtet ku zhvillonin mësimin nxënësit dhe problematikat me të cilat ata dhe prindërit përalleshin çdo ditë. Disa nga shqetësimet që na adresuan lidheshin me kushtet e papërshtatshme për zhvillimin e procesit mësimor, si lagështira dhe mungesa e ngrohjes.

Pas këtij verifikimi, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Cërrikut më 24 shkurt të këtij viti. Pyetjet që i dërguam këtij institucioni lidheshin me investimet e bëra në shkollën “Rushan Qevani” dhe nëse Bashkia e Cërrikut kishte ndonjë projekt për rikonstruksionin e saj.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Cërrik, 24 shkurt 2022

Përgjigjja nga ky institucion mbërriti më 19 prill nëpërmjet e-mailit, rreth 2 muaj pas dërgimit të kërkesës për informacion dhe pas ankimimit të bërë në adresë të Komisionerit Për Të Drejtën e Informimit. Ndër të tjera në përgjigje theksohet, mesa duket përmes një lapsusi, se ka pasur një investim në shtator 2022 (ndërkohë që jemi ende në muajin maj të vitit 2022) ku është bërë lyerja dhe riparime të ndryshme.

Shkolla “Rushan Qevani”, 23 shkurt 2022

“Në muajin shtator 2022, në shkollën ‘Rushan Qevani’ është kryer mirëmbajtja e ambienteve si lyerja dhe riparime të ndryshme, dhe izolimi i tarracës së shkollës”- thuhet në përgigjen e Bashkisë Cërrik.

Gjithashtu, zyrtarisht theksohet se është bërë një projekt për rikonstruksionin e saj, mirëpo nuk është bërë tenderimi.

“Bashkia Cërrik ka bërë projektin për rikonstruksionin e shkollës ‘Rushan Qevani’. Akoma nuk është tenderuar ndërtimi i kësaj shkolle”-sqarohet në përgjigje.

Shkolla “Rushan Qevani”, 23 shkurt 2022

Për sa i përket shqetësimit të ngritur nga dhjetëra prindër dhe nxënës për mungesën e ngrohjes, Bashkia Cërrik bën të ditur:

“Nuk ka pasur problem me ngrohjen e kësaj shkolle, pasi Bashkia i ka marrë të gjitha masat për ngrohje me dru zjarri”.

Ndërsa, në artikullin e publikuar nga Faktoje, prindërit rrëfenin se janë të detyruar që t’i çojnë vetë drutë në shkollë, pasi gjatë gjithë dimrit fëmijët e tyre janë përballur me të ftohtin në ambientet e shkollës.

Përgjigjia e Bashkisë Cërrik mbërritur me email në datën 19 prill

Në muajin janar të këtij viti, ministrja e Arsimit Evis Kushi premtoi kushte më të mira për nxënësit dhe mësuesit.

“Synimi ynë është që t’u sigurojmë nxënësve dhe mësuesve tanë jo vetëm kushte sa më të mira, por edhe metodat më bashkëkohore të mësimdhënies, përshtatur me nevojat që kërkon sot koha dhe tregu”- u shpreh ministrja.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img