BallinaPertejZaroshka e ‘100 fshatrave’ turistike, “e braktisur” nga banorët dhe nga shteti

Zaroshka e ‘100 fshatrave’ turistike, “e braktisur” nga banorët dhe nga shteti

Ina Allkanjari

Zaroshka, pjesë e ‘100 fshatrave’ turistikë shtrihet buzë liqenit të Prespës në bashkinë Pustec dhe ka një potencial të madh për zhvillimin e turizmit sezonal. Por, prej vitesh mungesa e investime në infrastruktrë, kanalizime dhe ujë të pijshëm nga shteti, si dhe pandemia e COVID-19, kanë bërë që fshtati të braktiset nga turistët dhe nga të rinjtë e fshatit.

Për Zaroshkën, fshatin me rreth 400 banorë, të cilët shikojnë si mënyrë jetese turizmin, futja e tyre në projektin e 100 fshatrave turisikë, ishte një  lajm i mirë që premtonte se do të përmirësonte jetesën dhe shtimin e të ardhurave.

“Zaroshkën që e kemi përfshirë në “100 Fshatrat” dhe kemi besim se duke krijuar disa mundësi për të rritur intersimin e turistëve dhe duke mbështur njerëzit këtu për të kthyer sytë nga agroturizmi, do mund të bëjmë një kthesë për ekonominë e zonës – u shpreh kryeministri Edi Rama më 16 qershor 2019, në Pustec.

Por gjatë viteve në vijim, fshati turistik Zaroshkë vuajti mungesën thuajse totale të pushuesve. Mungesa e infrastrukturës, ujit të pijshëm, promovimit, pikave të informacionit, të ndërthurura me kushtet e diktuara nga “Covid-19”, prodhuan një situatë të përkeqësuar të sezonit turistik, për banorët e këtij fshati.

Në muajin prill 2022 Faktoje vendosi të shkojë sërish në Zaroshkë, për të parë nëse situata në këtë fshat turistik ka ndryshuar në krahasim me verfikimin që ne realizuam rreth dy vite më parë.

Zaroshkë, Pustec

Banorë të zonës treguan se ende ky fshat nuk është rimëkëmbur duke vuajtur mungesën e turistëve.

“Ka mungesë turistësh, ndoshta për këtë vit është herët të flasim pasi jemi në pritje, por nuk është vënë shumë dorë, situata në fshatin Zaroshka është siç ka qenë më përpara”, u shpreh një banorë i zonës për Faktoje.

Problemet me infrastrukturën dhe kanalizimet e ujërave të zeza vijojnë të jenë shqetësim për banorët e fshatit turistik. Kjo gjë pranohet edhe nga kryetari i bashkisë Pustec, Pali Kolevski i cili tregon për Faktoje nevojën emergjente për përmirësimin e infrastrukturës rrugore.

Rrugë në Zaroshkë, Pustec

“Si fillim duhet realizuar zgjidhja e problemit për kanalizimet e ujërave të zeza, infrastruktura rrugore që është shumë e amortizuar brenda bashkisë Pustec. Ne mundohemi që ta mirëmbajmë me mjetet që kemi, por shpresojmë që edhe kjo të zgjidhet pasi qeveria shqiptare është duke negociuar një kredi që do të ketë ndërhyrje në bashkinë Pustec. Ndërhyrjet emergjente janë konstistuar në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, ndriçimin dhe përmirësimin e qendrës së fshatrave”, u shpreh Kolevski.

Kanalizimet në Zaroshkë, Pustec

Më tej kryetari i bashkisë Pustec tregon për Faktoje se problemi shumë vjeçar i ujit të pijshëm në fshatin Zaroshkë është drejt zgjidhjes duke theksuar se bashkia është duke investuar për ujësjellësin.

“Bashkia është duke investuar për Ujësjellësin, shpresoj që kjo gjë ta përmirësojë situatën pasi çdo gjë nis nga ujësjellësi. Ne e kemi futur në projektet prioritare. Në Zaroshkë ende nuk ka furnizim me ujë 24 orë. Jemi duke e zgjidhur një gjë të tillë, pasi ka qenë një plagë shumë e madhe për bashkinë e Pustecit që unë shpresoj që në muajin qershor të futen 3 fshatra të tjerë që nuk e kanë patur furnizimin, ndërkohë deri në shtator urojmë të zgjidhet komplet problemi”, tregon kryetari i bashkisë Pustec.

Investimet në ujësjellës në Zaroshkë, Pustec

Lupce Vangjelofski, pronar i një prej restoranteve në Zaroshkë u shpreh se aktualisht në këtë fshat ekzitojnë 4 restorante dhe dy hotele. Ai shprehet optimist për projektin e ujësjellësit ku pritet që fshati të furnizohet 24 orë me ujë, por që ende nuk ka përfunduar. Sipas tij, mungesa e infrasturkturës ka sjell bllokim të turizimt.

“Aktualisht në Zaroshkë ka 4 restorante dhe 2 hotele. Kanë qenë 6 restorante, por 2 janë mbyllur gjatë këtyre 2 viteve të fundit për shkak të mungesës së turistëve.  Jemi optimist pasi na kanë thënë që për një muaj përfundon Ujësjellësi pasi janë bërë depot, por po pritet të vendosen sahatet dhe do të kemi 24 orë ujë. Problemi tjetër që ne kemi është mungesa e infrastrukturës, me aq sa dimë projekti për rregullimin e rrugës në Zaroshkë nga bashkia ende nuk është miratuar, por na kanë premtuar që deri në fund të vitit do të ketë përfunduar. Ndërkohë pritet të bëhet edhe një shëtitore”, tregon Vangjelofski pronar i një prej restoranteve në Zaroshkë.

Restorant në Zaroshkë, Pustec

Më tej ai tregon se rritja e çmimeve dhe mungesa e infrastrukturës ka sjell ulje të numrit të turistëve. por edhe largim të të rinjve për punë sezonale kryesish në Maqedoni dhe Greqi, për të siguruar jetesën.

“80% e të rinjve janë larguar nga fshati pasi nuk ka të ardhura për të jetuar. Rritja e çmimeve shoqëruar dhe me problematikat që Zaroshka ka si mungesa e infrastrukturës ka sjellë ulje të numrit të turistëve. Shumica e të rinjve janë detyruar të largohen për punë sezonale kryesisht në Maqedoni dhe Greqi”, tregon Vangjelofski.

Hotel në Zaroshkë, Pustec

Mungesa e një pike informimi për turistët ishte një tjetër problem në Zaroshkë, ndonëse ekziston një ndërtesë e cila do shërbente si pikë infomimi dhe orientimi për turistët, ajo nuk ishte funksionale.

“InfoPoint” jo funksionale në Pustec

“Info point nuk është ende funksionale, është parashikuar rikonstruksioni, strukturimi dhe lidhja me energji që të jetë e hapur në çdo sezon për turistët. Bizneset e kanë filluar aktivitetin, në vitin 2020 ka qenë pandemia dhe çdo gjë ka qenë e kufizuar. Tashmë ka një shtim të turizmit, ka një rritje të interesit për të vizituar zonën, sidomos në fundjavë. Këtu mungojnë investimet kryesore që do të nxisin më shumë njerëzit dhe banorët për të investuar në drejtim të turizmit”, u shpreh kryetari i bashkisë Pustec.

Ndërtesë e “InfoPoint” jo funksionale në Pustec

“Info point nuk është funksionale, vetëm gjatë verës kemi parë të ketë punonjës. Më së shumti janë punonjës të pyjores që mund të japin ndonjë informacion”, u shpreh një banorë i fshatit Zaroshkë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img