Pretendim: Bashkëshortja e presidentit ukrainas, Olena Zelensky ka blerë një makinë me vlerë 4.5 milionë euro

Verdikti: E pavërtetë

———————————

Në rrjetet sociale, përfshi edhe ato shqipfolëse, po qarkullon lajmi se gruaja e presidentit të Ukrainës ka blerë një nga makinat më të shtrenjta në botë, Bugatti Tourbillon, e cila ka vlerë 4.5 milionë euro.

Ky lajm duket se e ka zanafillën nga një portal në gjuhën frënge, La Verite Cachee, i cili është hapur vetëm një muaj më parë. Artikulli citon një faturë dhe një punonjës të pretenduar të dyqanit të Bugatti në Paris, i cili ka postuar një video në rrjete sociale ku pretendon se Zelenska ka porositur automjetin gjatë vizitës së çiftit në Paris.

Megjithatë, video dhe punonjësi në fjalë nuk janë të vërtetë. Video është gjeneruar me programe kompjuterike deepfake, gjë që dallohet në prerjet e papritura, theksi i çuditshëm dhe lëvizjet e gojës dhe buzëve.

Më tej, Bugatti lëshoi një deklaratë për shtyp më 2 korrik për të përgënjeshtruar “këtë fushatë keqinformimi.” Kompania tha se “mohon fuqishëm ekzistencën e transaksionit dhe, rrjedhimisht, ekzistencën e faturës”.

Bugatti ka depozituar një kallëzim penal për “falsifikim, përdorim falsifikimesh dhe uzurpim të identitetit dhe shpifje”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se kompania ka nisur veprimet ligjore.