.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookBanorët e “Big Brother” përdoren nga portalet si karrem për klikime

Banorët e “Big Brother” përdoren nga portalet si karrem për klikime

Pretendimi: Banorja e Big Brother VIPSara Gjordeni zbulohet se është takuar me ish-partnerin e saj boksier.

Rate: E pavërtetë, Clickbait

Banorja e “Big Brother Vip”, Sara Gjordeni nuk është “kapur mat” me ish-partnerin boksier, siç thuhet në titujt e portaleve. Faktoje verifikoi se lajmi i publikuar në mediat online është thjesht abuzim me titullin, me qëllim tërheqjen e klikimeve.

Zhvillimet në “Big Brother VIP” janë një nga temat e preferuara të lexuesve dhe portalet natyrshëm që i kanë kushtuar një pjesë të mirë të përmbajtjes së tyre këtij emisioni gjatë muajve të fundit.

Një kërkim në programet analizuese të Facebook dëshmon se një prej banorëve më të debatuar gjatë dy javëve të fundit, është Sara Gjordeni, e lidhur kjo edhe me përjashtimin e saj nga spektakli.

Duke vendosur emrin e saj në këto motorë kërkimi mund të konstatohet se artikujt që citojnë Sarën nga portale modeste arrijnë një mesatare prej 3 mijë klikimesh dhe një maksimale deri në 24 mijë shikimesh.    

Kjo vëmendje e shtuar e publikut që përkthehet në rritje të klikimeve keqpërdoret nga disa portale duke publikuar tituj bombastikë. Një prej tyre është dhe titulli i datës 11 mars i portalit “Lajmi Fundit”, që njofton “Sara Gjordeni kapet mat në mes të Tiranës me boksierin e famshëm!”.

Postimi i shpërndarë në portale

Artikulli shoqërohet edhe më një foto të ish-banores së “Big Brother” dhe boksierit, Jurgen Uldedaj, për të cilin Sara është shprehur më parë se kishte patur një raport, duke deklaruar se kishte lënë një çështje pezull me të.

Mirëpo, nëse do të shohim në brendësi të artikullit nuk ka asnjë fjali në lidhje me takimin e Sarës me boksierin. Shkrimi flet për incidentin e saj me konkurrenten tjetër, Françeskën dhe përjashtimin e Sara Gjordenit nga shtëpia e Big Brother Vip. Në këtë rast kemi të bëjmë me një titull që përdoret thjesht si karrem për klikime (clickbait).

Titulli paralajmëronte për përmbajtje që nuk ishte në tekst dhe kjo është saktësisht ajo që njihet si karrem për klikime (Clickbait), një nga manipulimet më të përhapura mediatike. Clickbait është projektuar që t’i mbajë lexuesit të angazhuar aq kohë sa të hapin një tekst dhe ta lexojnë atë deri në fund, duke shpresuar se informacioni i premtuar në titull do të shfaqet përgjatë tekstit.

Sara Gjordeni u përjashtua më 5 mars nga BBV pas një konflikti fizik që pati me një tjetër prej banoreve aty, Françeska Muratin.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img