Pretendimi: Banka Europiane ka dhënë alarmin për një sulm kibernetik të mundshëm
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————–
Pasi ndërprerjet e papritura të energjisë elektrike më 28 prill çuan Spanjën dhe Portugalinë në një paralizë, në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se “Banka Europiane” ka ngritur alarmin për një sulm kibernetik.
Video e mësipërme nis me paralajmërimin: “Tashmë është zyrtare! Banka evropiane ka dhënë alarmin. Bëhuni gati për një atak!”
Kështu, duke iu drejtuar burimeve zyrtare, Faktoje kërkoi faqen zyrtare, llogarinë zyrtare në Twitter, dhe llogarinë zyrtare në Instagram të Bankës Qendrore Europiane (ECB), banka qendrore e Eurozonës dhe Bashkimit Europian, përgjegjëse për politikën monetare, operacionet e këmbimit valutor dhe kartëmonedhat euro.
Asnjë alarm i tillë nuk shfaqet në kanalet zyrtare të komunikimit të Bankës Qendrore Europiane.
Njësoj, asnjë alarm i tillë nuk shfaqet në komunikimet zyrtare të Autoritetit Bankar Europian (EBA), agjencia e BE e ngarkuar me zbatimin e një sërë rregullash standarde për të rregulluar dhe mbikëqyrur bankat në të gjitha vendet e BE.
Deri më tani, pretendimi se “Banka Europiane” ka ngritur alarm të çfarëdolloji, qoftë dhe për sulm kibernetik, mbetet i pavërtetë.