Më 27 tetor pritet që në portin e Durrësit të rikthehen 102 kontenjerë që dyshohen se janë të mbushura me mbetje të rrezikshme. “Basel Action Network”, një organizatë mjedisore me qendër në SHBA thotë se ngarkesa aktualisht ndodhet në një port në Turqi. Më herët institucionet zyrtare deklaruan se nuk do të pranonin rikthimin e mbetjeve pa analiza shteruese dhe prova ligjore.
Në muajin gusht të këtij viti, “Basel Action Network”, një organizatë mjedisore me qendër në SHBA ngriti shqetësimin për humbjen e gjurmëve të dy anijeve të ngarkuara me mbetje të dyshuara si të rrezikshme, nisur nga porti i Durrësit.
Sipas BAN, anija ‘Maersk Campton’ dhe një anije e dytë kontenjerësh e së njëjtës linjë, ‘Maersk Candor’ në fillim të korrikut ngarkuan në portin e Durrësit mbi 100 kontenjerë me mbetje të dyshuara të rrezikshme, të cilat vijnë nga hiri i oxhaqeve metalurgjike elektrike me destinacion Tajlandën.
Më 24 gusht 2024, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, bashkë me atë të Turizmit dhe Mjedisit reaguan në lidhje me mbetjet, duke deklaruar njëzëri se Shqipëria nuk mund të pranojë rikthimin e ngarkesave të tilla pa analiza shteruese dhe prova ligjore.
“Në këto rrethana, nuk mundet që Shqipëria të pranojë apriori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekulimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme”, shkruhet në reagimin e dy ministrive.
Mirëpo, tre muaj pasi u nisën nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën, mbetjet e dyshuara si të rrezikshme pritet që të kthehen në Shqipëri. Në një komunikim për Faktoje, organizata jo qeveritare amerikane, “Basel Action Network” (BAN) bën të ditur se mbetjet e dyshuara toksike pritet të kthehen në portin e Durrësit më 27 tetor.
“Një sasi prej 2,100 tonë mbetje të dyshuara si të rrezikshme, të paketuar në 102 kontejnerë, pritet të kthehet në vendin e origjinës, Shqipëri më 27 tetor 2024, përmes portit italian Gioia Tauro.
‘Basel Action Network’ (BAN), pas një informacioni të siguruar nga burime njoftoi Shqipërinë, disa vende tranziti dhe vendin e synuar Tajlandën për këtë dërgesë masive të asaj që ata besojnë se është pluhuri toksik nga furrat e çelikut.
Pas këtij paralajmërimi, qeveria e Tajlandës refuzoi importin dhe BAN më pas mori siguri nga linjat e anijeve të përfshira, Maersk dhe MSC se do të siguronin kthimin e sigurt të kontejnerëve në portin e Durrësit në Shqipëri”, bën të ditur BAN në një email për Faktoje.
Sipas organizatës jo qeveritare amerikane, për momentin kontenjerët ndodhen në një port të Turqisë.
“Aktualisht të gjithë kontejnerët janë lënë mënjanë në portin e vogël të Asyaport, Turqi, në pritje të mbërritjes së anijes turke të kontejnerëve ‘BURAK BAYRAKTAR’, e cila pritet të lëvizë 102 kontejnerët në fjalë nëpërmjet Gioia Tauro, Itali, përsëri në Durrës”, njofton BAN.
Në një letër të dytë drejtuar qeverisë, BAN i bën thirrje Shqipërisë të marrë mostra dhe të testojë në mënyrë transparente mbetjet e dyshuara si të rrezikshme.
Veç kësaj, organizata amerikane njofton se janë të gatshëm të vijnë në Durrës për të asistuar në procesin e vëzhgimit dhe marrjes së mostrës më 27 tetor.
“Vetëm marrja e mostrave dhe testimi i hapur e transparent i përmbajtjes do t’i sigurojë publikut besimin në rezultatet dhe natyrën e këtyre lëndëve të dërguara në Tajlandë”, thotë Jim Puckett, drejtor ekzekutiv i BAN.
Kthimi i mbetjeve dhe si duhet të veprojnë autoritetet shqiptare
Ambientalisti Lavdosh Ferruni tregon për Faktoje se çfarë hapash duhet të ndiqen nëse këto mbetje si të dyshuara të rrezikshme mbërrijnë në Shqipëri.
“Kthimi i mbetjeve është një procedurë që qeveria shqiptare padyshim do ta pranojë, edhe pse ka dhënë deklarata që nuk i pranon. Për sa kohë që ato janë mbetje të gjeneruara në territorin shqiptar, duhet të akomodohen në territorin shqiptar, nëse kapacitetet për këto mbetje të rrezikshme janë të vlefshme”, thekson ambientalisti.
Më tej, Ferruni shton: “Në Durrës është një landifll i mbetjeve të rrezikshme që mund të akomodohen aty, afër Durrësit. Nëse jo, do duhet të ri-eksportohen mbi bazën e standarteve të konventës. Do rinegociohet për vendin që do t’i presë, nëse i pret apo jo, që duhet të jetë një vend i zhvilluar që ka mundësi t’i trajtojë këto mbetje që dyshohen si të rrezikshme”, thekson Ferruni.
Në lidhje me kthimin e këtyre mbetjeve në Durrës, Faktoje.al iu drejtua me një kërkesë për informacion edhe Ministrisë së Turiznit dhe Mjedisit, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi një përgjigje nga institucioni në fjalë.
Më herët, ky institucion bëri të ditur për Faktoje.al se nuk kanë dhënë asnjë autorizim dhe si rrjedhojë kompania nuk ka paraqitur të dhëna mbi destinacionin e ngarkesës.
“Ju informojmë se institucionet ligj zbatuese shqiptare janë angazhuar që në sinjalizimin e parë të këtyre dyshimeve dhe kanë kryer veprime hetimore të përbashkëta me Zyrën kundër mashtrimit të Bashkimit Evropian (OLAF), si dhe MTM ka referuar rastin pranë autoriteteve doganore me qëllim investigimin dhe vlerësimin e situates”, njoftoi MTM.
Në një artikull të publikuar në shtator, Faktoje.al raportoi se Shqipëria eksporton mbetje të rrezikshme dhe jo të rrezikshme. Ministria e Mjedisit deklaroi për Faktoje se gjatë vitit 2023 dhe deri më tani janë dhënë 84 autorizime për eksport të mbetjeve të tilla.