Ballkani i Hapur u ‘shemb’ në hendekun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës

583
  • Koha në të cilën kryeministri shqiptar njoftoi për tërheqjen nga Ballkani i Hapur tregon se kjo lëvizje e papritur e Tiranës mund të jetë imponuar nga tensionet mes Serbisë dhe Kosovës.
  • Me përshkallëzimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e gjeti veten në udhëkryq në përplasjen mes Vuçiqit dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
  • Ndërkohë që Maqedonia ende shpreson për një Ballkan të Hapur, ndërsa Serbia është kapur nga vorbulla e përshkallëzimit të marrëdhënieve me Kosovën, Shqipëria po bën përgatitjet përfundimtare për Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet më 16 tetor.
  • Vuçiq e shpërfill tërheqjen e Edi Ramës dhe ende e konsideron Ballkanin e Hapur si një projekt aktiv.

Tirana është tërhequr, Beogradi po përdor taktikën – a do të mbetet Maqedonia një ‘vartëse‘ e Serbisë në Ballkanin e Hapur tashmë të reduktuar, pasi kryeministri shqiptar Edi Rama njoftoi se nisma e përmbushi misionin për të cilin ishte krijuar dhe se është koha që rajoni të fokusohet në procesin e Berlinit?

Dy vjet pasi nisi me emrin “Ballkani i Hapur”, kjo nismë e pa fundin nga mbështetësi kryesor i saj, kryeministri shqiptar Edi Rama.

“Në tetor Shqipëria pret për herë të parë Samitin e Procesit të Berlinit për Ballkanin, në Tiranë. Sigurisht, procesi i Berlinit është tani fokusi ynë kryesor. Ballkani i Hapur ishte një nismë që lindi nga nevoja për të çuar përpara Procesin e Berlinit dhe përmbushi tashmë misionin për të cilin ishte krijuar”, tha Edi Rama më 1 korrik 2023.

Me këtë deklaratë ai ka befasuar kolegët e tij Aleksandar Vuçiq dhe Dimitar Kovaçevski. Vuçiq ka refuzuar të besojë në deklaratën e Ramës, ndërsa sipas Kovaçevskit, “Ballkani i Hapur” ende nuk ka përfunduar.

Përpos habisë, deklarata e Ramës krijoi konfuzion për arsyet që diktuan përfundimin e nismës. Por në Shkup vendosën ta shpërfillin situatën. Vetëm pas ngjarjeve të fundit në Kosovë, shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, i zemëruar tha:

“Ballkani i Hapur ishte një ide dashamirëse, por mendoj se pas ngjarjeve në Kosovë të 24 shtatorit, Serbia vërtet duhet të bëjë përpjekje dhe të dëshmojë se nuk është e përfshirë në atë ngjarje”.

Dhe shtoi:

“Nëse ka ndonjë ndërhyrje shtetërore nga Serbia, realisht e bën të pamundur pjesëmarrjen tonë, si dhe të vendeve të tjera të rajonit, sepse ideja e Ballkanit të Hapur ishte pajtimi. Ajo që ndodhi në veri të Kosovës me sulmin, shpresoj se do të dëshmohet se nuk ka asnjë përfshirje shtetërore, por nëse vërtetohet, vërtet mendoj se duhet të rishqyrtojmë pjesëmarrjen tonë në Ballkanin e Hapur”, deklaroi Osmani.

Mirëpo, derisa për këtë nuk prononcohet kryeministri maqedonas, në duart e të cilit janë këto vendime, mesazhi i Bujar Osmanit mund të konsiderohet vetëm si retorikë në marrëdhëniet e nxehta ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e cila ka mbështetjen e partive shqiptare në Maqedoni.

Zabrçanec: Fakti që Ballkani i Hapur e ka përmbushur misionin e tij nuk do të thotë se ai ka përfunduar

“Nuk e kemi parë asnjëherë deklaratën (e Ramës) që ju e përmendni në origjinal. Është ritreguar këtu në disa media, por pak ditë pas kësaj deklarate kryeministri Rama ka vizituar Shkupin. Ata patën një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin tonë Kovaçevski dhe bashkërisht deklaruan se Ballkani i Hapur vazhdon të funksionojë, se historia nuk ka mbaruar dhe se jep rezultate të shkëlqyera”, tha Marjan Zabrçanec, koordinator në Qeveri për Ballkanin e Hapur, duke shtuar:

“Kjo deklaratë është krejtësisht e kundërt me atë që ju i referoheni dhe që u interpretua, ndërsa deklarata që pasoi disa ditë më vonë në qendrën mediatike të Qeverisë ishte drejtpërdrejt nga goja e Ramës dhe Kovaçevskit.

Mirëpo, po t’i shikosh mirë deklaratat e dy kryeministrave, është e qartë se Kovaçevski për Ballkanin e Hapur ka folur në kohën e tashme, ndërsa Rama është shprehur shumë saktë – në drejtimin tjetër. “Është e nevojshme që të gjithë ne të bashkohemi nën ombrellën e Procesit të Berlinit, i cili tani po ringjallet dhe prandaj e lëmë mënjanë Ballkanin e Hapur”, deklaroi ai.

Zabrçanec, duke konfirmuar në emër të Qeverisë maqedonase qëndrimin se Ballkani i Hapur ende ekziston, shton se fakti që Ballkani i Hapur e ka përmbushur misionin e saj nuk do të thotë se kjo nismë ka përfunduar.

“Pak javë pas këtyre dy deklaratave, në Paris, ministrat e kulturës të të tre vendeve, përfshirë edhe ministrin e kulturës së Shqipërisë, hapën një ekspozitë të përbashkët nën ombrellën e Ballkanit të Hapur të artistëve nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia“ shprehet kategorikisht ai.

Prandaj, siç thotë ai: “Ballkani i Hapur nuk është në ndërprerje, por nëse konflikti mes Serbisë dhe Kosovës thellohet, bashkëpunimi rajonal në përgjithësi do të shuhet. Nuk është vetëm një rrezik për Ballkanin e Hapur. Është një rrezik po aq i fortë edhe për Procesin e Berlinit dhe për çdo bashkëpunim tjetër rajonal”, shtoi Zabrçanec. Megjithatë, thotë ai, nëse vetëm Maqedonia dhe Serbia mbeten në Ballkanin e Hapur, ai do të jetë vetëm bashkëpunim dypalësh (bilateral).

Nën radarin e interesave të qytetarëve

Qytetarët që i kemi anketuar në pikën kufitare me Serbinë, në Tabanoc, nuk mendojnë se Ballkani i Hapur i ka hapur kufijtë dhe një pjesë e mirë e tyre as që kanë dëgjuar për këtë projekt.

“Mund të ishte më mirë në këtë kufi. Kalimi mund të bëhet më i shpejtë. Oficerët e kufirit duhet të jenë në të njëjtën dhomë. Ashtu si Mali i Zi-Shqipëria. Për shembull, malazezi e merr pasaportën dhe ia jep shqiptarit për të kaluar më shpejt. Këtu janë dy kontrolle”, na tha njëri prej të intervistuarve. Ai gjithashtu shton se Ballkani i Hapur duhet të vazhdojë dhe të zgjerohet me vendet e tjera.

Kundër pritjes së gjatë në kufi ka reaguar një tjetër qytetar. “Unë mendoj se duhet të ketë fluks të lirë, jo të presim kështu në kufij. Ne presim dy orë kur shkojmë dhe kur kthehemi në vendin tonë”, thotë ai, ndërsa një qytetar i tretë për Ballkanin e Hapur kujton se ishte “një gjë që ka të bëjë me bashkëpunimin ekonomik” dhe u drejtohet autoriteteve të ndihmojnë lëvizjen e kapitalit midis vendeve.

Nga ky mini-anketim i yni, mund të konstatohet se Ballkani i Hapur, përveçse nuk i hapi kufijtë për lëvizje më të shpejtë, as nuk u afirmua të jetë pjesë e top-temave në rajon, por mbeti nën radarin e interesit të qytetarëve për të cilët në të vërtetë ishte menduar kjo nismë.

Kritikët shkojnë një hap më tej duke pretenduar se Ballkani i Hapur u shërbeu interesave serbe dhe dëshirës së Beogradit për të qenë lider i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Por ‘bomba’ e hedhur nga Rama është ndjerë edhe në Serbi dhe ka sjellë reagime kontradiktore. Dr. Dejan Bursaç, bashkëpunëtor hulumtues në Institutin e Filozofisë dhe Teorisë Shkencore nga Beogradi, thotë se është fakt se të gjitha iniciativat rajonale në dhjetë a më shumë vitet e fundit janë të pakuptimta dhe nuk janë të përcaktuara mirë.

“Ballkani i Hapur kishte një qëllim vërtet të mirë, hapi tregtinë midis Shqipërisë dhe Serbisë, hapi turizmin, rriti besimin midis Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, së bashku me disa veprime të tjera si vaksinimi, zgjidhja e mosmarrëveshjes kishtare. Kështu në disa sondazhe të vitit të kaluar Serbia ishte në krye të opinionit të qytetarëve maqedonas si vendi më mik, që është një sukses për dy vendet fqinje të Ballkanit”, na tha ai.

Nga ana tjetër, shton ai, Procesi i Berlinit nuk pati suksese të mëdha në dhjetë vitet e ekzistencës së tij, përveç disa bashkëpunimeve të të rinjve, bashkëpunimit të sektorit jo qeveritar e të ngjashme.

“Sigurisht, të gjitha këto procese paralele, si procesi i Berlinit, ashtu edhe Ballkani i Hapur (le të kujtojmë, Komuniteti i Energjisë dhe Komuniteti i Transportit që po shfaqen me turp), fatkeqësisht janë pasojë e faktit që politikanët perëndimorë, pra Bashkimi Evropian, kanë frikë nga votuesit e tyre që të përcaktojnë qartë agjendën për pranimin e Ballkanit Perëndimor, sepse kanë frikë se do të humbasin vlerësimin nëse thonë – ok, tani do të pranojmë edhe gjashtë vende të reja në Bashkimin Evropian”, thotë Bursaç.

Rama hap “Piramidën” për Procesin e Berlinit

Ndërkohë që Maqedonia ende shpreson për një Ballkan të Hapur, ndërsa Serbia është kapur nga vorbulla e përshkallëzimit të marrëdhënieve me Kosovën, Shqipëria po bën përgatitjet përfundimtare për Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet më 16 tetor.

“Vendet e rajonit në atë Samit do të nënshkruajnë një marrëveshje të re për njohjen e kualifikimeve profesionale të infermierëve, kirurgëve veterinarë, farmacistëve dhe mamive në përputhje me Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, nga e cila do të ketë përfitime të drejtpërdrejta dhe të prekshme. Gjithashtu do të shpallet një nismë shumë e rëndësishme për rajonin – hapja e një dege të një prej institucioneve më prestigjioze të arsimit të lartë në Evropë, ‘Kolegji i Evropës’. Tashmë, përveç degëve të Kolegjit të Evropës në Belgjikë dhe Poloni, do të ketë edhe një kampus në Tiranë. Një komponent shumë i rëndësishëm i samitit të këtij viti do të jetë partneriteti në fushën e klimës dhe energjisë. Priten zhvillime të rëndësishme edhe në fushën e infrastrukturës së transportit”, na thanë nga Agjencia e Medias dhe Informacionit të Shqipërisë.

Samiti do të mbahet në “Piramidën” imponuese, një ish-muze i diktatorit Enver Hoxha në periudhën komuniste dhe sot Qendër për Teknologjinë e Informacionit. Kryeministri shqiptar Edi Rama nuk mund të kishte zgjedhur një vend më të mirë për të mirëpritur figurat kryesore politike nga rajoni dhe BE-ja, pasi Piramida u përdor gjithashtu si bazë e NATO-s gjatë krizës së Kosovës në vitin 1999. Në këtë mënyrë, ai do të përdorë simbolikën e saj për të theksuar marrëdhëniet e shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara, të cilat ishin mbështetëse të Ballkanit të Hapur.

Në pyetjen tonë se pse Shqipëria preferon papritur procesin e Berlinit dhe anashkalon Ballkanin e Hapur, drejtori i Institutit të Studimeve Politike nga Tirana, Afrim Krasniqi, thotë se fundi i Ballkanit të Hapur ishte i pritshëm, sepse jo vetëm që nuk dha rezultat, por shkaktoi edhe konflikte.

“Procesi i Berlinit është një projekt evropian me fuqi të konsiderueshme politike, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendet e rajonit janë pjesë e tij. Është një projekt që mbulon të gjithë sektorët dhe është qasja strategjike e BE-së për Ballkanin Perëndimor. Nga ana tjetër, Ballkani i Hapur është një iniciativë periferike, kryesisht mes Tiranës dhe Beogradit që nuk arriti asnjëherë të bashkojë të gjithë aktorët politikë. Në vend që t’i bashkonte vendet, ajo krijoi konflikte, veçanërisht në rastin e Kosovës. Kjo do të thotë se nëse nuk mund të funksionojë në fazën e saj embrionale, nuk mund të funksionojë as në afat të gjatë”, na tha ai.

Krasniqi shton gjithashtu se Ballkani i Hapur ishte një nismë paralele e krijuar për efekt elektoral dhe për nevojat e kryeministrit Rama për të krijuar një ide se nëse nuk ka perspektivë për Ballkanin Perëndimor, vetë Ballkani ka një opsion, pra planin B.

“Procesi i Berlinit mori vlerë për shkak të Samitit të mbajtur nga vendet e Bashkimit Evropian në Tiranë dhe faktit që Samiti i ardhshëm i procesit të Berlinit do të mbahet në Tiranë. Ky lloj Samiti nuk mund të krahasohet me iniciativa të tjera. Mendoj se është zhvillim pozitiv i ngjarjeve që procesi i Berlinit mori kaq shumë rëndësi”, thotë Krasniqi.

Lëvizje e imponuar e Tiranës?

Për dy vite bashkëpunim intensiv, tre vendet pjesëmarrëse të Ballkanit të Hapur – Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria, nënshkruan një sërë marrëveshjesh të ndërsjella. Edhe pse Shqipëria e konsideron të përfunduar misionin e Ballkanit të Hapur, marrëveshjet do të respektohen.

Rama paralajmëroi tërheqje, por marrëveshjet do të respektohen

“Ato marrëveshje nuk bien ndesh me rregullat e CEFTA-s apo me iniciativën e Tregut të Përbashkët Rajonal, por përkundrazi, ato shërbejnë vetëm si katalizatorë për bashkëpunimin rajonal. Në fakt, marrëveshjet e mobilitetit të nënshkruara vitin e kaluar në Berlin në kuadër të procesit të Berlinit, u nënshkruan edhe në nivel tripalësh në kuadër të Ballkanit të Hapur”, na thanë nga Agjencia e Medias dhe Informacionit të Qeverisë së Shqipërisë.

Koha në të cilën kryeministri shqiptar njoftoi tërheqjen nga Ballkani i Hapur tregon se kjo lëvizje e papritur e Tiranës mund të jetë e imnponuar nga tensionet mes Serbisë dhe Kosovës. Me përshkallëzimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, kryeministri Edi Rama u gjet në udhëkryq në përplasjen mes Vuçiqit dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, gjë që padyshim e vendosi atë në një pozitë delikate.

Ballkani i Hapur në “vijën e zjarrit” mes Beogradit dhe Prishtinës

Dr. Milan Krstiq, docent në Fakultetin e Shkencave Politike nga Beogradi:

“Që në fillim në dinamikën e zbatimit të iniciativës Ballkani i Hapur kanë ndikuar marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe interesi amerikan për zbatimin e saj. Ballkani i Hapur ende nuk ka vdekur, edhe pse është kthyer në letargji. Nisma e Ballkanit të Hapur u krijua në fund të vitit 2019, kur tarifat 100 për qind të Prishtinës për mallrat serbe dhe boshnjake çuan në një krizë në sistemin CEFTA dhe në një bllokim të bashkëpunimit ekonomik rajonal. Mbështetja kryesore erdhi nga Uashingtoni, ku administrata e presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump, injoroi faktin se BE-ja kishte zhvilluar tashmë një koncept të ngjashëm për integrimin ekonomik rajonal përmes procesit të Berlinit.

Nënshkrimi i marrëveshjes nga Uashingtoni në shtator të vitit 2000, me të cilën, nën presionin e Shtëpisë së Bardhë, edhe Prishtina u angazhua për të hyrë në Mini Shengenin e atëhershëm, i dha një shtysë të re nismës. Kur në fillim të vitit 2021 Albin Kurti mori pushtetin në Prishtinë dhe Joseph Biden në Uashington, dukej se projekti kishte marrë fund. Megjithatë, ndërsa ngurtësia e Kurtit ngeci vazhdimin e planifikuar të integrimit ekonomik në kuadër të Procesit të Berlinit, Uashingtoni vazhdoi të mbështesë një nismë më të vogël dhe më kompakte të mbështetur vetëm nga Beogradi, Tirana dhe Shkupi, e cila u riemërua në Ballkan të Hapur në verën e vitit 2021.

Në kontekstin aktual, kur marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës janë më të tensionuara në 15 vitet e fundit, Shtetet e Bashkuara ofrojnë mbështetje për zbatimin e planit gjermano-francez për Kosovën. Si pjesë e kësaj, përveç presionit të hapur ndaj Prishtinës, ekziston edhe një lloj presioni i fshehur ndaj Beogradit – pjesërisht përmes ndërprerjes së mbështetjes së qartë për Ballkanin e Hapur.

Uashingtoni po i dërgon gjithashtu një mesazh Brukselit se qëndron pas të gjitha nismave të BE-së në rajon. E gjithë kjo ka bërë që Rama të rishikojë mbështetjen për projektin në këtë kohë. Megjithatë, situata mund të kthehet sërish dhe projekti të ringjallet sërish, si në verën e vitit 2021”, beson eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dr. Milan Krstiq.

Aleksandar Popov, drejtor i Qendrës për Rajonalizëm nga Novi Sadi, i pyetur nëse Ballkani i Hapur është ende pjesë e agjendës së tre vendeve pjesëmarrëse, u përgjigj se historia e atij projekti ka përfunduar.

“Mendoj se Ballkani i Hapur ka përfunduar, sepse nëse një nga tre vendet themeluese largohet nga ajo histori, pse do të hyjnë vende të reja? Përveç kësaj, nuk është e qartë pse u krijua fare Ballkani i Hapur mbi këtë bazë, nëse tashmë ekziston një proces si ai i Berlinit, i cili tashmë i bashkon të gjashtë vendet dhe i cili bën gjithçka që Ballkani i Hapur i ka vënë vetes si detyrë. E vetmja gjë që pati një avantazh procesi i Berlinit është se ka para evropiane pas tij”, na tha ai.

Popov beson se Ballkani i Hapur tashmë kishte “skelete në dollap” qysh kur u formua, duke pasur parasysh se përbëhej nga vende me interesa të ndryshme.

“Për mua është një mister i madh që Amerika ishte gjatë gjithë kohës pas Ballkanit të Hapur, pse SHBA-të e mbështetën këtë histori me të gjitha këto të meta që diheshin tashmë në atë kohë”, shton ai.

Maqedonia ‘nuk e jep’ Ballkanin e Hapur

Një nga pyetjet është nëse Ballkani i Hapur e ka vendosur veten shumë më lart se mundësitë dhe pengesat reale që qëndrojnë në rrugën e rajonit. Koordinatori nga pala maqedonase, Zabrçanec, është i bindur se projekti ka dhënë rezultate.

“Korsi të gjelbra në kufijtë e Qafë Thanës dhe Tabanocit për automjete transportuese. Përfitim të madh nga kjo kanë kompanitë që importojnë dhe eksportojnë, veçanërisht në fushën e ushqimit, por edhe të gjithë punonjësit dhe të gjitha familjet e atyre punonjësve. Bëhet fjalë për një fluks të shpejtë të mjeteve transportuese në kufi. Ka një korsi të veçantë për kamionët në Ballkanin e Hapur. Ne i harmonizuam tarifat e pagesës së rrugës me mTAG-në që ekziston në vendet e Ballkanit të Hapur. Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë qenë të lidhura dhe do të vijojë edhe lidhja me Shqipërinë, sepse ende nuk ka pika të mjaftueshme pagese me mtAG. Ky është një përfitim për një fluks më të shpejtë të qytetarëve, se nuk ka ndalesë në kabinat e pagesës, që rampat ngrihen automatikisht. Kemi pasur iniciativa të shkëlqyera të përbashkëta dhe bashkëpunimi në temën e turizmit, të ashtuquajturat turne qarkore, nga të cilat ka përfituar veçanërisht turizmi maqedonas, i cili ende është duke u zhvilluar. Kemi një rritje marramendëse në zhvillimin e turizmit. Dhe në fushën e kulturës tashmë ka bashkëpunime konkrete mes artistëve nga Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria”, thotë Zabrçanec.

Por gjëja më e rëndësishme mbeti e harruar. Numri i identifikimit që duhej të siguronte shkëmbimin e fuqisë punëtore mes tre vendeve, pavarësisht paralajmërimeve dhe afateve të shumta, nuk u realizua. Së fundmi në Serbi ka pasur paralajmërime se fillimisht do të fillojë nga qershori, e më pas nga 1 korriku, por mbeti vetëm një njoftim.

“Numri i identifikimit të punëtorëve nga Serbia tashmë është testuar dhe gjithçka është gati, duket se po presim vetëm një “amin zyrtar”, na tha një bashkëbisedues nga Oda Ekonomike e Serbisë. Ndërkaq, Zabrçanec thotë se në Maqedoni “pritet vetëm shtypja e një butoni që të aktivizohet kjo masë”.

Informacione të tilla të forta thonë se Serbia, si dhe Maqedonia, ende i përmbahen fort Ballkanit të Hapur. Edhe panairi i verës “Wiine vision by Open Balkan”, i cili pas suksesit të vitit të kaluar në Beograd u bë markë e Ballkanit të Hapur, tashmë është planifikuar për këtë vit nga 16 deri më 19 nëntor. Serbia njofton se përgatitjet për edicionin e dytë të ngjarjes janë duke u zhvilluar, megjithëse situata e sigurisë në rajon mund të kërcënojë këto plane.

“Për momentin, ende qëndron informacioni se panairi do të mbahet në nëntor dhe ne po përgatitemi për këtë”, na tha një pronar i verës që mori pjesë në panair vitin e kaluar. Në pyetjen se sa ekspozues do të ketë këtë vit, Panairi i Beogradit, ku është planifikuar të mbahet edhe këtë vit manifestimi, u përgjigj se nuk mund të na japin të dhëna të sakta për numrin e pjesëmarrësve të regjistruar, por se është e sigurt që këtë vit do të ketë ekspozues nga rreth 26 shtete (vitin e kaluar ishin 22), dhe se janë paraqitur “një numër më i madh i prodhuesve të verës nga anëtarët e Ballkanit të Hapur, krahasuar me vitin e kaluar”. Edicioni i vitit të kaluar i “Ëine vision by OB” arriti të mbledhë një numër të madh ekspozuesish si dhe zyrtarët më të lartë të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.

Shqipëria nuk ka thënë ende nëse do të marrë pjesë në panairin e verës të këtij viti.

Agjencia e Medias dhe Informacionit e qeverisë shqiptare nuk iu përgjigj pyetjes sonë për pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë event, por disa prodhues të verës në Shqipëri kanë konfirmuar tashmë pjesëmarrjen në panairin e sivjetshëm.

Ballkani i Hapur ishte një iniciativë rajonale e krijuar nga Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria e dedikuar për të ofruar kushte për ushtrimin e katër lirive evropiane për sa më shumë qytetarë dhe kompani në Ballkan. Ai u parashikua si një përshpejtues i bashkëpunimit dhe lidhjes rajonale kur bëhet fjalë për lëvizjen e lirë të njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve. Vetëm tre vende i janë bashkuar Ballkanit të Hapur deri më tani – Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa të gjashtë vendet nga Ballkani Perëndimor marrin pjesë në Procesin e Berlinit (i themeluar me iniciativën e ish-kancelares gjermane Angela Merkel në vitin 2014). Ende nuk është shpallur zyrtarisht fundi i Ballkanit të Hapur, por tërheqja e Shqipërisë është padyshim një hap në këtë drejtim.

Kjo përmbajtje është përgatitur nga Instituti për Studime të Komunikimit.

Gazetarë: Sonja Kramarska, Katerina Gjurovski, Denis Kollunxhija (Avtonomija, Serbi), Viola Keta, Esmeralda Topi (Faktoje, Shqipëri)

Kameramanë: Ivan Popoviç, Marjan Petkovski, Dalibor Stupar

Montazhi: David Milloshevski