Avokat Ngjela nuk zbuloi ndonjë sëmundje të rëndë të Berishës

11

Pretendimi: Spartak Ngjela ka zbuluar se kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha vuan nga një sëmundje e rëndë

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————————-

“PO VDES ! Nuk mundet me ! Spartak Ngjela ZBULON Semundjen e Rende te Sali Berishes” jep alarmin më 6 shkurt 2026 një artikull i portalit lifestories99.com, i cili ka marrë mbi 700 pëlqime të kombinuara në Facebook.

Megjithatë, lexuesit nuk duhet të alarmohen. Ky lajm është i rremë.

Në brendësi të artikullit, pretendohet se “në një intervistë për mediat, [Spartak] Ngjela ka zbuluar se ish-kryeministri po përballet me një sëmundje të rëndë.” Megjithatë, ai nuk citon ndonjë burim apo referencë dhe nuk jep asnjë detaj identifikues si koha kur dhe media për të cilën është dhënë intervista e pretenduar e Ngjelës.

Një kërkim i thjeshtë në rrjet zbulon se, megjithëse Ngjela flet rregullisht mbi Berishën, nuk ka asnjë raportim përveç artikullit të portalit ku Ngjela citohet të ketë thënë se ish-kryeministri po vdes nga një sëmundje e rëndë.

Titulli i artikullit keqinformon në mënyrë jo etike me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve. Konstatohet se disa prej këtyre faqeve në Facebook kanë ndarë edhe më parë lajme të rreme për ndarjen nga jeta të personazheve të tjera publike, duke tentuar të mbledhim sa më shumë ndërveprim nga komentuesit. Sa më shumë komente të shkruajnë lexuesit, qoftë edhe negative ndaj artikujve, ky veprim ndikon në një shpërndarje edhe më të madhe të postimeve të rreme tek miqtë e komentuesve. 

Faktoje ka përgënjeshtruar dhe më parë pretendime mbi gjendjen shëndetësore të Berishës.