Pretendimi: Autori i sulmit terrorist në Magdeburg bërtiti “Allahu Akbar” në momentin e arrestimit.

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————–

Pas sulmit që vrau 5 persona më 20 dhjetor 2024 në Magdeburg, Gjermani, në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se autori thërriti “Allahu Akbar” gjatë arrestimit.

Si provë për këtë sillet një video në të cilën duket autori Taleb al-Abdulmohsen i shtrirë në tokë gjatë arrestimit. Përballë i qëndron një oficer policie, i cili i thotë të qëndrojë i shtrirë. Në sfond dëgjohen persona të tjerë që thërrasin “terrorist” dhe fyerje në gjermanisht.

Menjëherë pas kësaj fyerje, fjalë të tjera mund të dëgjohen jo fort të qarta për shkak të situatës kaotike të krijuar pas sulmit terrorist. Një gazetar arabishtfolës i Deutche Welle konfirmoi se në asnjë moment nuk i ka dëgjuar fjalët arabe “Allahu Akbar”. Pasthirrma fetare nuk mund të dëgjohet as në një video tjetër të regjistruar nga këndvështrimi i kundërt.

Policia në Magdeburg konfirmoi për DW se nuk kishte dijeni për një deklaratë të tillë – as nga autori dhe as nga kalimtarët e rastit.