Autopsia nuk zbuloi vdekjen nga mbidoza të Shpat Kasapit

4

Pretendimi: Këngëtari shqiptar nga Maqedonia e Veriut Shpat Kasapi vdiq si pasojë e mbidozës

Verdikti: E paprovuar

————————————————–

Pas vdekjes së papritur të këngëtarit shqiptar Shpat Kasapi më 26 nëntor 2025, në rrjete sociale nisën të përhapen teori të shumëllojshme mbi shkakun e vdekjes së tij.

Kështu, një postim që ka marrë mbi 300 pëlqime në Facebook, pretendon se Kasapi vdiq nga mbidoza, ndërsa i fton lexuesit të klikojnë një lidhje në komente për të mësuar më shumë.

Ndërkaq, në brendinë e artikullit të referuar në komente, pretendohet se autopsia e Kasapit kishte zbuluar “një kombinim faktorësh shëndetësorë që Shpati i kishte mbajtur të fshehur, qoftë nga familja, qoftë nga ndjekësit e tij. Trupi i tij paraqiste shenja lodhjeje të skajshme, probleme kronike të pa trajtuara si duhet, dhe sipas ekspertëve, organizmi i tij kishte qenë në një gjendje alarmi për një kohë të gjatë.”

Artikulli gjithashtu citon të vëllanë e Kasapit si të ketë thënë: “Nuk e dinim që ishte kaq keq. Ai nuk ankohej kurrë… gjithmonë thoshte ‘jam mirë’. Tani e kuptojmë që ai po e luftonte këtë gjithçka i vetëm.”

Pra, pretendimi i titullit kundërshtohet nga vetë brendia e artikullit. Kasapi nuk vdiq nga mbidoza. Sipas burimeve mediatike, Shpat Kasapi u nda nga jeta për shkak të një arresti kardiak.

Megjithatë, edhe pretendimet brenda artikullit janë trillime. Ky i fundit nuk i referohet ndonjë burimi. Ai i referohet thjesht një “instituti të mejkësisë ligjore” pa specifikuar i kujt shteti. Mjeku që citohet është anonim. Kur citon vëllain e Kasapit, nuk i referohet se për cilën media ka folur ai.

Vëllai i Kasapit ka folur vërtet për vdekjen e këngëtarit në një intervistë për Top Channel. Megjithatë, ai nuk tha se Kasapi nuk ankohej kurrë për shëndetin. Përkundrazi, Albin Kasapi tha se i vëllai ka patur disa shqetësime të vogla nga zemra.

“Nuk ka pasur diçka të rrezikshme, gjëra normale. Ka pasur dhe një herë pak me zemrën probleme, një shtrëngim, por jo diçka serioze,” tha Kasapi.

Titulli i artikullit keqinformon me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve duke hedhur baltë në mënyrë jo etike mbi dikë që ka ndërruar jetë, ndërsa familjarët dhe të afërmit e tij po përjetojnë momente tejet të vështira.