Pretendimi se autobusët elektrikë në këtë video po karikohen me gjeneratorë me naftë është i pasaktë. Sipas kompanisë së autobusave, gjeneratori nuk furnizohet me naftë, por me një lloj biokarburanti që nuk ndot si hidrokarburet e zakonshme.
——————————————–
Një video që duket se tregon një autobus elektrik duke u karikuar nga një gjenerator po qarkullon në rrjete sociale me pretendimin se “autobusët elektrikë karikohen nga gjeneratorët me naftë pas çdo udhëtimi.” Postimi vë në lojë tranzicionin e gjelbër në Evropë duke i trajtuar si të rreme përpjekjet e deritanishme për të transformuar transportin drejt mjeteve elektrike.
Në një pjesë të videos (00:11), vërehet se autobusi që po karikohet mban logon “Bus Eireann”.
Bus Éireann është një kompani publike autobusash që operon në Irlandë.
Më 16 janar 2024, kompania adresoi pikërisht videon e mësipërme, dhe pretendimet se autobusët po karikohen me gjeneratorë me naftë.
Në një postim në llogarinë e tyre në Tëitter, Bus Éireann sqaroi se gjeneratori i treguar në video “nuk operon me naftë.” Sipas kompanisë, ai është një gjenerator i përkohshëm, i cili operon me vaj vegjetal të hidrogjenuar (HVO), një biokarburant të cilin ata e quajnë më të qëndrueshëm.
Ndërkaq, në gjeneratorin që tregohet në video mund të dallohen logo “Clemhire.com”, faqja zyrtare e kompanisë që prodhon këto gjeneratorë, Clem Jacob Hire.
Në llogarinë e tyre në Facebook, kompania ka pohuar dhe më parë se gjeneratorët e tyre furnizohen me 100% vaj vegjetal të hidrogjenuar. Sipas kompanisë, “HVO është një alternativë e naftës komerciale me karbon të ulët dhe ka një reduktim deri në 90% të CO2, si dhe është plotësisht i biodegradueshëm, pa fosile dhe pa erë.”
Bus Eireann deklaroi gjithashtu se: “Ky është një gjenerator i përkohshëm për të lehtësuar trajnimin e stafit me mjetet e reja elektrike përpara se të aktivizohej elektriciteti në depon tonë në Limerick.”