Pretendimi: Atentatori i Trump punonte si mercenar si pjesë e Legjionit të Huaj të Ukrainës
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————–
Pas një atentati të dështuar kundër ish-presidentit dhe kandidatit për president amerikan Donald Trump më 15 shtator, në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se autori Ryan Routh ka qenë mercenar me Legjionin e Huaj të Ukrainës.
Routh akuzohet se ka shkuar në resortin e golfit Trump në Florida të dielën, i armatosur me një pushkë SKS. FBI gjeti armën, dy çanta shpine dhe një kamerë GoPro.
Sipas BBC, Routh postonte shpesh në rrjete sociale duke inkurajuar luftëtarët e huaj të shkojnë në Ukrainë për të luftuar kundër Rusisë. Ai e përshkruan veten si “kordinator vullnetar.”
Routh u intervistua nga The New York Times në vitin 2023 për një artikull mbi amerikanët që dolën vullnetarë për të ndihmuar në luftën në Ukrainë. Routh, i cili nuk kishte përvojë ushtarake, tha se kishte udhëtuar drejt Ukrainës pas pushtimit të Rusisë dhe donte të rekrutonte ushtarë afganë për të luftuar atje.
Megjithatë, ai nuk ka marrë pjesë në luftime. Në vitin 2022, 56-vjeçari u refuzua nga Legjioni i Huaj i Ukrainës sepse nuk kishte përvojë ushtarake. Legjioni i Huaj tha për BBC se Routh “asnjëherë nuk ka qenë pjesë e legjionit, as i lidhur me me legjionin … në asnjë cilësi”.
Një vullnetar i legjionit e përshkroi Routh si një prani kaotike që “po bënte më shumë dëm sesa mirë”. Vullnetari tha se Routh ishte në Ukrainë në prill 2022.
Ofertat e tij për të rekrutuar numra të mëdhenj nga e gjithë bota për të luftuar për Ukrainën “nuk ishin realiste”, tha Oleksandr Shaguri, një oficer i Departamentit të Koordinimit të të Huajve të Komandës së Forcave Tokësore. Ai tha për CNN, se “mënyra më e mirë për të përshkruar mesazhet [e Routh] është – ide delirante”.
Revista Rolling Stone raporton se vullnetarë të lidhur me Legjionin e Huaj për Mbrojtjen e Ukrainës filluan të sinjalizonin publikisht për Routh gjatë verës: “Paralajmërim për Ryan Routh: Ai nuk është, dhe kurrë nuk ka qenë i lidhur me Legjionin Ndërkombëtar ose me Forcat e Armatosura të Ukrainës… Ai po keqinterpreton veten dhe gënjen shumë njerëz.”
Ushtria ukrainase ka mohuar çfarëdo lidhje me Routh.
“Shtetasi amerikan Ryan Routh nuk ka shërbyer kurrë në Legjionin Ndërkombëtar të Drejtorisë kryesore të Inteligjencës të Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, [dhe] nuk ka asnjë lidhje me njësinë”, shkroi njësia e Inteligjencës së Mbrojtjes së Legjionit Ndërkombëtar në një deklaratë zyrtare. “Thashethemet e shpërndara në media të caktuara nuk janë të vërteta.”