.

.

BallinaPremtimeTë pambajturaAsnjë shkollë e planifikuar te Liqeni i Thatë, siç premtoi Veliaj

Asnjë shkollë e planifikuar te Liqeni i Thatë, siç premtoi Veliaj

Zona e liqenit të Thatë me 23 mijë banorë dhe perspektivë për t’u mbipopulluar me ndërtimet e reja, nuk ka një shkollë publike. Bashkia mohoi të ketë në plan ndërtimin e shkollës në këtë zonë, duke përgënjeshtruar premtimet e përsëritura të kryebashkiakut Veliaj. Fëmijët e arsimit parauniversitar që banojnë në Liqenin e Thatë detyrohet të frekuentojnë shkolla larg zonës së banimit, me kosto shtesë për transportin dhe arsimimin në privat.

Në mars 2023, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj foli për ndërtimin e shkollave të reja, ku përmendi se një prej tyre do të ishte në zonën e Liqenit të Thatë.

“Jam i ndërgjegjshëm që janë disa zona ende pa shërbim dhe të themi janë loti i fundit i shkollave. E njëjta gjë për lagjen 13, ka dhe aty nevojë për 2 shkolla, pjesa e Liqenit të Thatë, te Kopshti Zoologjik.

Për zonën e Liqenit të Thatë, te Kopshti Zoologjik, jo brenda Kopshtit Botanik, por në cep, ku toka është pronë shtet, do të ndërtojmë një shkollë 9-vjeçare”-deklaroi Veliaj.

Edhe në muajin dhjetor 2023 ai theksoi: “Secili prej jush e pa edhe buxhetimin e shkollave në Astir… Edhe te Liqeni i Thatë që zgjidhëm atë kërkesë akute të atij komuniteti”.

Për të mësuar më shumë rreth projektit të shkollës në zonën e Liqenit të Thatë, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës.

Mirëpo, zyrtarisht ky institucion sqaron se nuk është parashikuar ndërtimi i një shkolle në atë zonë.

“Në përgjigje të shkresës së sipërcituar me anë të së cilës keni kërkuar informacion lidhur me punimet e shkollës 9-vjeçare në zonën e Liqenit të Thatë, ju informojmë se nuk kemi parashikuar ndërtimin e një shkolle në atë zonë”-bën të ditur Bashkia Tiranë.

Bum pallatesh, por asnjë shkollë te Liqeni i Thatë

Zona e Liqenit të Thatë është pjesë e njësisë administrative Farkë dhe njësia ka një popullsi prej më shumë se 23 mijë banorësh. Përpos shtimit të pallateve dhe banorëve, zonës së Liqenit të Thatë i mungon shkolla publike.

Në një verifikim që bëmë në terren më 24 maj, banorët shprehën shqetësimin se kjo lagje nuk ka ende një shkollë 9-vjeçare.

“Jo nuk ka shkollë 9-vjeçare këtu. Djalin e dërgoj te shkolla ‘Dëshmorët e Lirisë’. Me autobus që shkojmë ne është 4 stacione larg. E dërgoj vetë çdo ditë, është shumë e lodhshme, duhet patjetër një shkollë këtu. Është thënë që do bëhet, por akoma nuk po shikojmë gjë.

Kur të ndërtohet shkolla, djali do jetë në gjimnaz. Ai tani është në klasën e pestë dhe sot ka testin e Vanaf-it”, thotë një banore e zonës.

Ndërkohë, të shumtë ishin nxënësit që prisnin furgonin për të shkuar në shkollat private.

“Unë shkoj në shkollë private në Linzë, këtu nuk ka shkolla fare”-thotë një nxënëse e klasës së 8-të.

“Nuk dimë të ketë shkolla publike këtu, i dërgojmë në privat”, thonë prindër që banojnë në zonën që vijon të popullohet çdo ditë e më shumë në zonën e Liqenit të Thatë.

Nga ora 7 e mëngjesit deri në 8:30, të shumtë ishin furgonët që kalonin në këtë zonë për të marrë fëmijët dhe për t’i dërguar në shkollë.

Rregullorja e Planifikimit të Territorit e kërkon që zona e banuar duhet të ketë shkollën 9-vjeçare, jo më larg se 500 metra dhe gjimnazin apo shkollën e mesme, jo më larg se 1000 metra.

Përfundim

Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacionet e mbledhura, premtimin e kryebashkiakut Veliaj për ndërtimin e shkollës te Liqeni i Thatë do ta kategorizojnë të pambajtur.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img