Pretendimi: Disa prerje të kartëmonedhave Euro do të dalin nga qarkullimi në vitin 2025
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————————
Një numër portalesh shqipfolëse kanë raportuar në ditët e para të janarit se disa prerje kartëmonedhash euro do të dalin nga qarkullimi rishtazi.
Portalet pretendojnë se “seria e parë e kartëmonedhës 500 euro, kartëmonedhat e serisë së parë të vitit 2002, kartëmonedhat e dëmtuara ose me shënime së shpejti nuk do të kenë më vlerë.” Megjithëse këshillojnë lexuesit që t’i drejtohen bankave për të mësuar më shumë mbi fatin e kartëmonedhave të tyre Euro, artikujt e mësipërm nuk citojnë ndonjë burim apo referencë për këtë lajm që mund të shkaktojë frikë për humbjen e vlerës së kursimeve në monedhën e huaj nga familjet shqiptare.
Në faqen zyrtare të Bankës Qendrore Europiane (ECB) nuk është lëshuar ndonjë njoftim i tillë.
Përkundrazi, në këtë faqe shpjegohet se, megjithëse “ECB ka vendosur të ndalojë prodhimin e kartëmonedhës 500 euro prej vitit 2016, seria e parë 500 euro mbetet kartëmonedhë e ligjshme.” Më tej, “seria e parë e kartëmonedhave euro do të vazhdojë të emetohet së bashku me serinë e kartëmonedhave të serisë Europa derisa të konsumohen rezervat e mbetura. Më pas ato do të hiqen gradualisht. Data kur seria e parë e kartëmonedhave euro pushon së qeni kartëmonedhë e ligjshme do të shpallet shumë përpara. Megjithatë, kartëmonedhat e serisë së parë do të ruajnë gjithmonë vlerën e tyre: ato mund të shkëmbehen për një periudhë të pakufizuar kohore në Bankat Qendrore Tregtare (NCB) të Eurosistemit.”
Deri më sot janë emetuar dy prerje të kartëmonedhave Euro, seria e parë, pas hyrjes në fuqi të monedhës së përbashkët evropiane në 1 janar 2002, dhe seria e quajtur Europa, që nisi të përdorej prej vitit 2013, ku janë shtuar elementë të mëtejshëm sigurie, me evidente është imazhi nga mitologjia greke i Princeshës Europa. Banka Qëndrore Evropiane publikon raporte periodike të përdorimit të kartëmonedhave dhe monedhave metalike të të dyja serive në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Raportet e ECB mbi përdorimin aktual të serive të emetuara të Euro
Sa i përket kartmonedhave të dëmtuara apo me shënime, sipas ECB, “bankat qendrore kombëtare në eurozonë zëvendësojnë çdo kartëmonedhë euro që është dëmtuar, grisur ose gjymtuar aksidentalisht, me kusht që të përmbushen disa kritere. Nëse posedoni më shumë se gjysmën e një kartëmonedhe euro të dëmtuar, ose nëse mund të provoni se pjesa e munguar e kartëmonedhës është shkatërruar, banka qendrore kombëtare mund ta zëvendësojë atë. Kartëmonedhat euro të gjymtuara ose të dëmtuara qëllimisht nuk zëvendësohen. Si rregull i përgjithshëm, zëvendësimi është pa pagesë.”
Shënim: Data 8 janar 2025 faqja radar.al e ka korrigjuar lajmin, pas verfikimit të të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Instagram.