.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookAsnjë rrezik nga vaksinimi ndaj HPV, dozat janë provuar efikase prej 15 vitesh 

Asnjë rrezik nga vaksinimi ndaj HPV, dozat janë provuar efikase prej 15 vitesh 

Vaksina kundër Human Papillomavirus (HPV), e përfshirë në kalendarin zyrtar të vaksinave të ofruara nga ministria e Shëndetësisë, është testuar prej 15 vitesh në vendet e tjera si mjaft efikase dhe e sigurtë. Pretendimet e ngritura në rrjetet sociale mbi rrezikun e saj janë të pasakta dhe nuk mbështeten në fakte shkencore.

Nëpërmjet një postimi në Facebook që mban datën 22 nëntor, avokati Altin Goxhaj, si përfaqësues i “Aleanca për Mbrojtjen e Jetës”, një grupim anti-vaksinim ndaj Covid-19, ngre dyshime edhe mbi vaksinën kundër “Human Papillomavirus”, që së fundmi është futur në kalendarin e vaksinimit për vajzat e reja.

“E tmerrshme ajo që po ndodh….Manastirliu dhe vraksinatorët e saj po shkojnë në shkolla dhe po i shpojnë fëmijët tuaj me vaksinën e re të promovuar nga Bill Gates! Me 3 doza, madje me detyrim sepse e kanë futur në Kalendarin e detyrueshëm!!!, shkruan ndër të tjera Goxhaj në Facebook.

Screenshot, postimi i avokatit Goxhaj në Facebook

Postimi vijon më tej me hedhjen e dyshimeve të zakonshme mbi “promovuesit e vaksinimit” – të njëjtët surretër të vraksinave anticovid të Davosit me Gates” – si dhe aludimin “Mësova se vaksina HPV nuk parandalon përhapjen e ndonjë infeksioni, por vetëm rrit aftësinë e femijës pas 10-20 vjetësh për tu përballur me kancerin e mitrës, por nuk garanton që kur të jetë grua nuk do ta zërë kanceri i mitrës nga ky virus se ky virus paska shumë variacione…”

Nisur nga rëndësia që ka procesi i vaksinimit për shëndetin publik, “Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të këtij postimi, në mënyrë që të informojë lexuesit në mënyrë korrekte dhe të bazuar në fakte.

Që prej 1 nëntorit Shqipëria iu bashkua SHBA, Kanadasë dhe shumë vendeve të tjera evropiane, të cilat kanë përfshirë në kalendarin zyrtar (falas) vaksinimin ndaj virusit “Human Papilloma” (HPV). Kjo vaksinë do të kryhet për vajzat duke nisur nga mosha 13 vjeç, duke synuar që të sigurojë një mbrojtje ndaj infeksionit që transmetohet në rrugë seksuale dhe është përgjegjës për një sërë tumoresh.

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, znj. Silva Bino, u shpreh për “Faktoje”:

Infeksionet nga HPV, të transmetueshme nëpërmjet marrëdhënies seksuale, shkaktojnë kancer të qafës së mitrës, vulvës, penisit, anusit, fytit si dhe lythat genitale. Bazuar në të dhënat e marra për 15 vite që kjo vaksinë është përdorur në vendet e tjera, kemi sigurinë që vaksinimi parandalon infektimin nga viruset e HPV deri në 99%.  Për shkak se vaksina parandalon infeksionet që shkaktojnë tumore, midis grave të vaksinuara përqindja e gjendjeve prekanceroze ka rënë me 40-50%.”

Gjithashtu mjekja gjinekologe Mimoza Keta u shpreh se futja e kësaj vaksine në kalendar është kërkuar prej shumë vitesh nga ekspertët e shëndetit publik.

Nuk ka asnjë dyshim se vaksina të mbron nga virusi që shkakton tumore. Kanceret në qafën e mitrës, në 98% të rasteve formohen nga ky virus, pra shkaktar është HPV. Vaksina që ne kemi aktualisht mbron nga katër nëntipe që janë më të rrezikshmet, 16, 18, 32 dhe 42, me efikasitet deri në 92%”.

Nga provat klinike dhe eksperienca e deritanishme e vaksinimit, mjekja konfirmon se vaksina nuk ka komplikacione të rënda. “Mund të haset vetëm skuqje në vendin e injektimit, marrje mendsh dhe rrallë të vjella që kalojnë brenda dy ditëve”, shprehet Keta.

Gijthashtu, Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) rekomandon që kjo vaksinë të bëhet në moshën 11-12 vjeçare, duke treguar edhe efektet pozitive që ka pasur që prej nisjes së vaksinimit.

studimet e publikuara prej saj konstatohet se qëkur vaksinimi HPV u rekomandua për herë të parë në vitin 2006, infeksionet me lloje HPV që shkaktojnë shumicën e kancereve dhe lythave gjenitale kanë rënë me 88% tek vajzat adoleshente dhe 81% tek gratë e reja. Vaksinimi kundër HPV ka reduktuar edhe numrin e rasteve të parakancerozës së qafës së mitrës tek femrat e reja.

Përkundër dyshimeve të ngritura në postimin kundër vaksinimit, CDC thekson se mbrojtja e ofruar nga vaksinat HPV zgjat në kohë. “Njerëzit që morën vaksina HPV u ndoqën për të paktën rreth 12 vjet dhe mbrojtja e tyre kundër HPV ka mbetur e lartë, pa asnjë provë rënie të efektit me kalimin e kohës”, theksohet nga CDC.

“Faktoje” iu drejtua me një kërkesë për informacion edhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ky institucion sqaroi ndër të tjera se sigurimi i dozave të vaksinës, mbulohet nga buxheti i shtetit, dhe jo nga donatorë apo individë të tjerë, ashtu siç mund të aludohet.

Fondi përkatës për vitin e ardhshëm për sigurimin e dozave të vaksinës është parashikuar në vlerën 35 milionë lekë, një fond shumë më i vogël se kostot e trajtimit spitalor apo vlerës së pallogaritshme të humbjes së jetës së shumë nënave dhe grave. Sot në botë, përllogaritet se çdo gjysmë orë vdes një grua nga kanceri në qafën e mitrës.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img