.

.

Ballina Pertej Verifikimi i lajmeve në Facebook Asnjë provë shkencore për trajtimin e diabetit me gjethe dafine

Asnjë provë shkencore për trajtimin e diabetit me gjethe dafine

1181

Gjethet e dafinës nuk e zhdukin diabetin, siç pretendohet në disa faqe online. “Faktoje” verifikoi se nuk ka prova shkencore që dëshmojnë ekzistencën e një kure të tillë, teksa studimet deri më tani kanë treguar se nuk ka një kurë për diabetin.

Së fundmi, faqet në Facebook kanë ofruar një kurë për trajtimin e diabetit. Postimi shoqërohet me një video disa minutëshe, ku thuhet se dafina ka efekte pozitive për zemrën, tretjen, flokët, ftohjen, ankthin, stresin, por edhe diabetin.

Merrni një gjethe nga kjo bimë dhe i jepni lamtumirë diabetit dhe problemeve te tretjes”, shkruan faqja “Thënie për jetën”.

Screenshot, postimi i faqes “Thënie për jetën” në Facebook

Nëpërmjet një video të publikuar në Youtube, kanali që mban të njëjtin emër, ka publikuar videon 10 minutëshe, ku sqaron përfitimet e shumta për shëndetin falë përdorimit të dafinës, ku nuk mungon edhe përfitimi çudibërës i njoftuar në titull.

Gjethet e dafinës kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në rregullimin e niveleve të sheqerit në gjak. Konsumimi i rregullt i gjetheve ul gjasat e shfaqes së episodeve diabetike. Ato janë të mira në përgatitjen e recetave të ndryshme”, sqarohet në publikimin e bërë në Youtube.

“Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të këtij publikimi, pasi interesi i ndjekësve online është i lartë për sa i përket kurave që ofrohen për trajtimin e sëmundjeve. Ajo që bien në sy fillimisht është titulli i publikimit, pasi nga studimet e shumta që janë bërë deri më tani, nuk ka një kurë që eleminon diabetin.

Nuk ka ende një kurë, por shkencëtarët po punojnë në një studim novator të menaxhimit të peshës, për të ndihmuar njerëzit me tipin e diabetit 2 që të reduktojnë simptomat dhe të mbajnë në normalitet nivelet e sheqerit në gjak”, thuhet ndër të tjera në studimet e kryera.

Nuk ka të dhëna shkencore që mbështesin gjithashtu përdorimin e dafinës për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme.

“Gjethja e dafinës është një barishte që përdoret zakonisht në gatim. Gjethet dhe vaji përdoren gjithashtu për të bërë ilaçe. Njerëzit përdorin gjethen e dafinës për diabetin, kancerin, problemet e stomakut, dhimbjet dhe shumë kushte të tjera, por nuk ka asnjë provë të mirë shkencore për të mbështetur këto përdorime. Gjethja e dafinës mund të jetë gjithashtu e rrezikshme nëse e gjithë gjethja merret nga goja”, argumentojnë faqe të besueshme informacioni.

Ashtu si në të gjitha këshillat e tjera mjekësore që ofrohen falas në internet, mbetet e rëndësishme këshilla për të konsultuar mjekun përpara se të niset, ndalohet ose ndryshohet ndonjë pjesë e përshkruar e planit ose trajtimit shëndetësor.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Artikulli paraprakVotimi elektronik – Qeveria e lë pa fonde KQZ-në, shkelet përsëri Kodi Zgjedhor
Artikulli tjetërParashikimi i tërmetit në Turqi u bazua në probabilitet dhe jo shkencë
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.