Faqe në Facebook vazhdojnë të shesin produktin e vajgurit si një kurë çudibërëse për një sërë sëmundjesh, përfshirë dhe kancerin. Në versionin më të fundit, përfshihet dhe ‘ekspertiza’ e ‘mjekut’ alternativ Erxhan Muharremi.
Postimi që ka marrë mbi 170 mijë shikime, dhe mbi 1700 pëlqime, pretendon se vajguri, i quajtur këtu “vaji i mrekullive”, është i dobishëm për një gamë të pabesueshme problemesh shëndetësore.
Ky “vaj i mrekullive shëndetësore” do t’u kushtojë vetëm 10 euro për 100 ml.
Për t’i dhënë më shumë besueshmëri reklamës, ajo shoqërohet me një klip ku Erxhan Muharremi deklaron se “gazi i llampave ose vajguri” shëron kancerin.
Në asnjë pjesë të këtij postimi nuk shpjegohet se si vajguri apo kerozina lufton këtë gamë të gjerë sëmundjesh. Reklama kërkon që lexuesi ta besojë pa ofruar asnjë shpjegm të mekanizmit, vetisë, apo mënyrës me anë të të cilës kjo substancë shëron këto sëmundje. Reklama nuk citon asnjë literaturë shkencore apo studim.
Siç “Faktoje” ka shkruar dhe më parë, nuk ka prova të besueshme se vajguri shërben si kurë për kancerin, dhe nuk ka patur teste klinike të mjaftueshme mbi këtë përdorim. Prof. Dr. Zihni Sulaj, i kontaktuar nga “Faktoje”, pohoi se “nuk ka prova të bazuara në evidencë klinike që vajguri mund të përdoret në praktikën klinike moderne, aq më tepër si terapi për lloje të ndryshme të kancerit.”
Ndërkohë, siç kanë sqaruar dhe kolegët e Kallxo, Erxhan Muharremi thotë që është mjek alternativ, por nuk ka ndonjë kredencial në shëndetësi apo shkencë. Ai pretendon se ka shëruar mijëra pacientë me metodën e vajgurit, por refuzon të përmendë emra.
Sipas Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) pirja e vajgurit mund të shkaktojë të vjella, diarre, enjtje të stomakut, kollitje, përgjumje, shqetësim, nervozizëm dhe humbje ndjenjash. Për më tepër ata që pinë vajguri mund të hasin vështirësi ose dhimbje në frymëmarrje. Kollë, pneumoni, dhe vështirësi apo shimbje në frymëmarrje pas pirjes së vajgurit janë tregues që vajguri ka hyrë në mushkëri. Për më tepër, pirja e sasive të mëdha të vajgurit mund të shkaktojë koma, konvulsione, madje edhe vdekjen. Nëse vajguri prek lëkurën për periudha të shkurtra, mund ta shkaktojë skuqje, kruarje, apo plagë; nganjëherë mund të shfaqen flluska ose rrjepje lëkure. Ka patur disa raste të evidentuara të fëmijëve që janë helmuar nga pirja aksidentale e vajgurit.