Pretendimi: Ushtria amerikane ka shpëtuar qindra fëmijë nga tunelet nën Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin Amerikan

Verdikti: E paprovuar

——————————————————————-

Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon sërish pretendimi i jashtëzakonshëm se ushtria amerikane ka shpëtuar qindra fëmijë nga disa tunele nëntokësore nën Shtëpinë e Bardhë dhe ndërtesën e Kongresit në ShBA. 

Postimi i mësipërm pretendon se qindra fëmijë janë parë duke dalë nga Kapitoli me trupa ushtarake dhe çanta me trupa në orët e para të mëngjesit.

Sigurisht që një ngjarje e tillë do të mbulohej gjerësisht në media ose të paktën do të kishte pamje fotografike apo filmike që e dëshmonin. Megjithatë, nuk ekzistojnë raportime apo foto që provojnë këtë pretendim të jashtëzakonshëm.

Një zëdhënës nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha për kolegët e Politifact se pretendimi është i rremë.

Ky pretendim ka qarkulluar në rrjet dhe është përgënjeshtruar që në vitin 2021, si pjesë e teorisë QAnon. Lëvizja QAnon mbështetet mbi një teori konspirative që përshkruan ish-presidentin amerikan Donald Trump si një hero i vetëm që po luftonte një rrjet elitash që ishin pedofilë dhe vrasës fëmijësh. QAnon premtonte se këta komplotistë do të ekspozoheshin dhe ndëshkoheshin së shpejti në një “stuhi” që po vinte.

Një variant i hershëm i kësaj teorie konspiracioni, Pizzagate, pretendon se pjesëtarët e Partisë Demokrate të ShBA dhe disa restorante amerikanë ishin të përfshirë në një rrjet trafikimi fëmijësh dhe pedofilie. Ndikuar nga kjo teori, në 4 dhjetor 2016, një burrë nga North Carolina shkoi në picerinë Comet Ping Pong dhe shtiu me armë.