Pretendimi: Vaj i farës se zezë dhe vajguri kurojnë shumë sëmundje si kanceri, reumatizmi, diabeti dhe sëmundjet e veshkave

Verdikti: E paprovuar

——————————————————

Një video e postuar në rrjete sociale, nga një faqe që shet vajëra bimorë, tregon një burrë, i cili pretendohet se është mjek, që deklaron se vajguri dhe vaji i farës së zezë shëron një mori sëmundjesh, përfshirë dhe kancerin.

Teksti që shoqëron postimin pretendon se ky kombinim kuron një mori sëmundjesh duke filluar nga reumatizma tek diabeti tek kanceri në të gjitha format e tij. Reklama hedh një rrjet të gjerë për të kapur sa më shumë klientë.

Nuk shpjegohet se si vajguri apo vaji i farës së zezë luftojnë qelizat kanceroze, tumoret apo metastazat. Reklama kërkon që lexuesi ta besojë pa ofruar asnjë shpjegim të mekanizmit, vetisë, apo mënyrës me anë të të cilës kjo substancë shëron këto sëmundje. Reklama nuk citon asnjë literaturë shkencore apo studim.

Siç Faktoje ka shpjeguar dhe më parë, nuk ka prova të besueshme se vajguri shërben si kurë për kancerin, dhe nuk ka patur teste klinike të mjaftueshme mbi këtë përdorim. 

Prof. Dr. Zihni Sulaj, i kontaktuar nga Faktoje, pohoi se “nuk ka prova të bazuara në evidencë klinike që vajguri mund të përdoret në praktikën klinike moderne, aq më tepër si terapi për lloje të ndryshme të kancerit.”

Burri në video është Erxhan Muharremi. Siç kanë sqaruar dhe kolegët e Kallxo, Erxhan Muharremi thotë që është mjek alternativ, por nuk ka ndonjë kredencial në shëndetësi apo shkencë. Ai pretendon se ka shëruar mijëra pacientë me metodën e vajgurit, por refuzon të përmendë emra.

Ndërkohë, sipas Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) pirja e vajgurit mund të shkaktojë të vjella, diarre, enjtje të stomakut, kollitje, përgjumje, shqetësim, nervozizëm dhe humbje ndjenjash. Për më tepër ata që pinë vajguri mund të hasin vështirësi ose dhimbje në frymëmarrje. Kollë, pneumoni, dhe vështirësi apo shimbje në frymëmarrje pas pirjes së vajgurit janë tregues që vajguri ka hyrë në mushkëri. Për më tepër, pirja e sasive të mëdha të vajgurit mund të shkaktojë koma, konvulsione, madje edhe vdekjen. Nëse vajguri prek lëkurën për periudha të shkurtra, mund ta shkaktojë skuqje, kruarje, apo plagë; nganjëherë mund të shfaqen flluska ose rrjepje lëkure. Ka patur disa raste të evidentuara të fëmijëve që janë helmuar nga pirja aksidentale e vajgurit.

Disa mjekë onkologë në Shqipëri kanë pohuar për “Faktoje” se, fatkeqësisht, kanë evidentuar raste të personave të sëmurë me kancer që kanë pirë vajguri duke menduar se do t’i ndihmonte me sëmundjen e tyre. Mjekët specialistë kanë ngritur alarmin herë pas here mbi rrezikun e kurave që vijnë nga interneti, duke përmendur edhe atë të “vajgurit çudibërës.”