Pretendimi: Uji alkalin Kangen mund të përdoret për të shëruar kancerin
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————————————–
Një video (arkivuar këtu) që ka marrë gati njëmijë pëlqime dhe mbi 1500 ndarje në Instagram pretendon se uji alkalin Kangen shëron kancerin.

Në video një grua dëgjohet të rrëfejë se si u shërua krejtësisht nga kanceri i mushkërive i stadit të 4, pasi mjekët nuk i kishin dhënë më shpresa mbijetese, kur nisi të pinte rregullisht një ujë që i solli mikesha e saj. “Nuk e dija a do të mund ta përballoja financiarisht këtë,” thotë gruaja. “Por ishte jeta ime në rrezik.”
Përshkrimi që shoqëron videon flet për ujin alkalin Kangen dhe një sërë të mirash shëndetësore të tjera që pretendohet se sjell pirja e këtij uji.
Uji i quajtur “Kangen water” është ujë alkalik, i prodhuar nga pajisjet për jonizim alkalik dhe filtrim të ujit të prodhuara nga firma Enagic.
Uji alkalik është thjesht ujë me një nivel pH më të lartë se uji i zakonshëm i pijshëm. Ai është pak më pak acid se uji i zakonshëm i pijshëm dhe përmban minerale alkalike. Konsumimi i ujit alkalik është përgjithësisht i sigurt, por hulumtimet nuk kanë ofruar prova përfundimtare për përfitimet që lidhen me të.
Nuk ka prova se pirja e ujit alkalik në përgjithësi, apo ujit Kangen në veçanti, parandalon apo shëron kancerin.
Në një rishikim të gjerë sistematik (që përfshin 252 përmbledhje studimesh) mbi ujin alkalik dhe kancerin, nuk u gjet asnjë dëshmi se konsumimi i këtij uji kishte ndonjë ndikim në zhvillimin ose përparimin e kancerit. Vetëm në njërin prej studimeve u gjet një lidhje domethënëse, e cila, megjithatë, ishte e dobët (midis nivelit të pH-së dhe kancerit të fshikëzës).
Në korrik të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë e Malajzisë tha se do të merrte masa kundër reklamave për ujin Kangen që pretendonin se “uji mrekullibërës” është në gjendje të trajtojë mbi 100 sëmundje kronike.
Për ata që jetojnë me kancer, është e rëndësishme të bisedojnë me mjekun lidhur me çdo regjim ushqimor.
Ekspertët e veshkave paralajmërojnë se pacientët me sëmundje kronike të veshkave duhet të shmangin konsumimin e tepërt të ujit alkalik, pasi ai mund të prishë ekuilibrin e elektroliteve dhe të përkeqësojë gjendjen e tyre. Sipas Harvard Health, personat që kanë funksion të dëmtuar të veshkave duhet të jenë shumë të kujdesshëm me ujin që përmban nivele të larta mineralesh ose që ka një vlerë të ndryshuar të pH.






