Pretendimi: 30 oficerë nga vendet e NATO-s u rrethuan nga forcat ruse në rajonin e Kursk në Rusi
Verdikti: E paprovuar
————————————————-
Pas tërheqjes së forcave ukrainase nga rajoni Kursk i Rusisë, në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se “rreth 30 oficerë nga vendet e NATO-s ishin të rrethuar” nga forcat ruse.
Megjithatë, ky pretendim nuk shoqërohet me ndonjë provë, por duket se bazohet ekskluzivisht tek një deklaratë e “Sergei Lebedev, koordinator i rezistencës pro-ruse Nikolaev”.
‘Lajmi’ është raportuat vetëm në media ruse, të cilat gjithashtu citojnë Lebedev, dhe nuk është njoftuar nga ndonjë burim zyrtar.
Në korrik 2024, Sergei Lebedev është dënuar në mungesë nga një gjykatë ukrainase me 15 vjet burg për tradhti të lartë të kryer sipas ligjit ushtarak. Sipas hetimit, ai po punonte për llogari të inteligjencës ruse (FSB) në disa fusha.
E para ishte mbledhja e informacionit mbi forcat ukrainase dhe rregullimi i sulmeve ajrore ruse në infrastrukturën civile të Ukrainës. Në të njëjtën kohë, Lebedev mori pjesë aktive në përgatitjen e tregimeve të paguara për kanalet televizive të Kremlinit. Aty shpërndau lajme të rreme për forcat ukrainase dhe situatën në front.
Hetuesit zbuluan se Lebedev angazhonte informatorë, të cilët i gjente në kanalin e tij Telegram me mbi 30 mijë ndjekës.
Pretendimet për prezencën e trupave të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) në Kursk kanë nisur që në 2024, kur forcat ukrainase hynë në rajonin e Kursk në Rusi në 6 gusht 2024.
Më 27 nëntor 2024, një këshilltar i kreut të Republikës Popullore të Donetskut pretendoi se forcave të armatosura të Ukrainës i ishin bashkuan trupat e NATO gjatë luftimeve në rajonin Kursk si një lloj “eksperimenti”. Megjithatë, ky pretendim nuk u shoqërua me ndonjë provë në atë kohë. Njësoj, që në atë kohë, nuk ka ndalë ndonjë provë që e mbështet këtë pretendim.
Trupat e NATO nuk po luftojnë në Ukrainë. Aleanca ka deklaruar vazhdimisht se nuk është palë ndërluftuese dhe se nuk ka trupa në terren në Ukrainë. Zyrtarët e NATO kanë kontakte të shpeshta me homologët e tyre ukrainas dhe Aleanca ofron trajnime dhe inteligjencë për Ukrainën, por trupat e saj nuk janë vendosur zyrtarisht në vijën e frontit as në Ukrainë, as në rajonin Kursk të Rusisë.
“Veprimet e NATO janë mbrojtëse, të planifikuara jo për të provokuar konflikt, por për të parandaluar konfliktin. Aleanca ka përgjegjësinë të sigurojë që kjo luftë të mos përshkallëzohet dhe të mos përhapet përtej Ukrainës, gjë që do të ishte edhe më shkatërruese dhe e rrezikshme. Zbatimi i një zone të ndaluar fluturimi ose vendosja e trupave luftarake në Ukrainë do t’i sillte forcat e NATO në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë. Kjo do të përshkallëzonte ndjeshëm luftën dhe do të çonte në më shumë vuajtje dhe shkatërrim njerëzor për të gjitha vendet e përfshira,” ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Jens Stoltenberg më 23 mars 2022, pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë.
Ka vullnetarë të huaj që luftojnë në Legjionin Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Ukrainës, disa prej të cilëve janë nga vendet anëtare të NATO. Këta vullnetarë i janë bashkuar legjionit në mënyrë të pavarur dhe nuk janë pjesë e një misioni zyrtar ushtarak të NATO.
Presidenti rus Putin ka akuzuar trupat ukrainase për kryerjen e krimeve kundër civilëve në Kursk, diçka që Kievi e mohon. Ukraina thotë se rreth 11 mijë trupa të Koresë së Veriut po luftojnë me Rusinë në Kursk, megjithëse Rusia dhe Koreja e Veriut kanë refuzuar të japin ndonjë detaj mbi trupat e Koresë së Veriut atje.
Narrativa e përfshirjes së NATO në luftime në Ukrainë është e rrezikshme pasi shpesh është përdorur nga Rusia për të përshkallëzuar kërcënimet e saj, që nga shpallja e luftës ndaj Aleancës së Atlantikut të Veriut, deri tek kërcënimet për një luftë bërthamore.