Së fundmi, në disa portale ka qarkulluar një lajm ku pretendohet se moderatorja Ola Bruko, si ‘rrallëherë ka dalë me një mesazh paralajmërues’. Faktoje verifikoi se në fakt nuk bëhet fjalë për ndonjë paralajmërim, por është thjesht një postim i zakonshëm nga moderatorja. Abuzimi me titullin në këtë rast bëhet me qëllim që të tërheqë sa më shumë klikime, edhe pse në këtë mënyrë bëhet burim për të manipuluar audiencën.
—————————————————————————————————————————–
Një postim i thjeshtë në Instagram nga moderatoja televizive Ola Bruko është bërë lajm në portale, duke përdorur tituj ‘sensacionalë’ dhe që nuk përputhen me përmbajtjen e artikullit.
“Asnjëherë nuk do jesh ku do nëse përpiqesh të fundosësh tjetrin. Koha ka treguar se kush përpiqet t’i bëjë gropën tjetrit, bie vetë aty brenda. Jeto jetën tënde e mos bëj keq. Zoti shikon çdo veprim. Ai vonon por nuk harron”, është ky postimi personal i moderatores në rrjetin Instagram që u përhap në mediat online.
Postimi në Instastory i moderatores
Kaq ka mjaftuar që portalet të ndërtojnë tituj abuzues. “Çfarë ndodhi? Spikerja e njohur shqiptare del si asnjëherë me mesazhin paralajmërues”, me këtë titull është publikuar në portalin Albeu.com më 21 shtator. Titulli dhe foto e një personazhi publik kanë tërhequr vëmendjen e lexuesve dhe janë shoqëruar me klikime të shumta.
Screenshot, lajmi i publikuar nga portali
Nëse do të shohim në brendësi të artikullit, vihet re që titulli nuk ka lidhje me lajmin dhe as me postimin e bërë nga moderatorja Ola Bruko. Postimi në Instatory-n e saj nuk është një paralajmërim siç aludohet në tekst, por thjesht një shprehje shoqëruar me një ‘emoji’ buzëqeshje. Madje në artikull pretendohet se shkak për këtë postim të moderatores mund të jenë bërë edhe probleme me vendin e punës.
E kontaktuar nga “Faktoje” në lidhje me këtë çështje, moderatorja Ola Bruko deklaroi se nuk kishte dëshirë që të pronocohej për lajmin e shpërndarë, por theksoi se përpara publikimit të këtij artikulli, askush nuk e kishte kontaktuar për të bërë një verifikim për atë çka kishte shkruar në Instagram.
Nëse shohim Instagramin e moderatores, vihet re se ajo është mjaft aktive dhe poston vazhdimisht shprehje apo slogane apo edhe foto nga përditshmëria e saj.
Lajmi është publikuar edhe në disa media të tjera online, po me të njëjtin titull, si: abcnews, GazetaJone, SOT, biolajm.com, ekonomianews.com.
Duket qartë që lajmi është marrë ‘copy-paste’ dhe ka qarkulluar në të gjitha mediat online. Lajme të tilla, me tituj ‘bombastik’ bëhen me qëlim që të tërheqin klikime, ndonëse në këtë mënyrë manipulojnë audiencën.