Pretendimi: Tifozët do të gjobiten me 5 mijë euro nëse veshin fanella fallco në Gjermani
Verdikti: E pavërtetë
—————————————
Me nisjen e kampionatit europian të futbollit Euro 2024 në Gjermani, mediat shqipfolëse paralajmëruan tifozët se nëse veshin fanella fallco në stadium do të ndëshkohen më një gjobë prej 5000 euro.
I njëjti lajm është raportuar edhe nga disa media të huaja.
Megjithatë, tifozët që veshin fanella fallco nuk duhet të shqetësohen, për aq kohë sa ato janë për përdorim personal. Policia nuk do t’u ndalojë vetëm sepse keni veshur një bluzë fallco.
Një zëdhënëse nga Drejtoria Gjermane e Doganave tha për Deutsche Welle se nuk ka gjoba lidhur me veshjen e fanellave fallco.
Shitja apo tregtimi i fanellave fallco, nga ana tjetër, mund të çojnë në ndjekje penale.
Më tej, tifozët mund të importojnë mallra për përdorim personal brenda kufijve të lejuara në udhëtim nga një vend jo-anëtar i BE-së. “Për udhëtimet brenda territorit doganor të BE-së, nuk ka kufizime doganore për individët që mbajnë sendet e tyre personale. Prandaj, në sferën private, një tifoz mund të importojë ose të mbajë fanellat e tyre personale,” tha zëdhënsja Schambler.
Gjithsesi, Drejtoria e Doganave i kërkoi konsumatorëve mos të blejnë produkte që cënojnë të drejtat e autorit. “Mallrat e falsifikuara dëmtojnë ekonominë, tregun e punës dhe konkurrencën e ndershme. Shpesh këto produkte janë të cilësisë së ulët ose paraqesin rreziqe për shëndetin,” tha Schambler.
Shënim: Data 25 qershor 2024 website reporteri.net e ka korrigjuar lajmin, pas verfikimit të të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.