Pretendimi se njerëzit shohin vetëm 1% të spektrit të dritës së dukshme është i pasaktë. Drita e dukshme është quajtur e tillë sepse njerëzit mund të shohin 100% të saj. Ndërkohë, ajo përbën 0.0035% të gjithë spektrit elektromagnetik.

————————————————————

Në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se “njerëzit mund të shohin vetëm 1% të spektrit të dritës së dukshme.” Postimi në fjalë i publikuar në 18 janar në Facebook, lë të nënkuptohet se dikush, mbi njerëzit normalë, është kujdesur që të mos shikojmë të gjithë botën qëllimisht.

Drita e dukshme ekziston në një spektër më të gjerë, spektrit elektromagnetik, dhe ajo përbën një pjesë shumë të vogël të këtij spektri.

Energjia elektromagnetike udhëton nëpër univers, përfshi edhe planetin tonë, në formë valësh.

Lloje të ndryshme energjie elektromagnetike bien në spektrin elektromagnetik sipas gjatësisë së valëve të tyre. Sa më e gjatë gjatësia e valës, aq më e ulët energjia e rrezatimit.

Spektri varion nga valët shumë të gjata të radios deri te rrezet shumë të shkurtra gama. Pjesë të tjera të spektrit janë mikrovalët, drita infra të kuqe, rrezatimi ultravjollcë, rrezet X – dhe drita e dukshme.

Grafiku i mësipërm tregon se si rrezatimi në spektrin elektromagnetik matet nga gjatësia valore më e gjatë deri tek ajo më e shkurtra. 

Ky spektër përfshin valët e radios (transmetimi radio dhe TV), rrezatimin infra të kuq (telekomandat), dritën e dukshme (drita që njerëzit mund ta shohin, p.sh. ngjyrat), rrezatimin ultravjollcë (drita e diellit), rrezet X (mund të kalojnë nëpër trupat tanë, dhe kështu përdoren për grafi të kockave dhe organeve), dhe rrezet gama.

Shumica e dritës në univers është vërtet e padukshme për ne. Por spektri i dritës së dukshme nuk është.

Rrezatimi elektromagnetik pëmban edhe njësi kuantike të quajtura fotone, të cilat sillen në të njetjën kohë edhe si valë edhe si grimca.

Drita e dukshme që ne shohim është në të vërtetë këto grimca që përplasen në objektet e dukshëm dhe kërcejnë në sytë tanë. Kjo dritë perceptohet nga ne si ngjyrë.

Gjatësia e valës përcakton ngjyrën e dritës. Spektri i dukshëm varion nga e kuqja, me gjatësinë e valës më ta madhe (rreth 700 nanometra) në vjollcën, me gjatësinë më të vogël të valës (380 nanometra).

Drita e dukshme” është, që nga përkufizimi, drita që njerëzit mund të shohin. Pra njerëzit shohin 100% të spektrit të dritët të dukshme.

Megjithëse ne mund të shohim 100% të spektrit të dukshëm, ky spektër përbën vetëm 0.0035% të spektrit elektromagnetik.

Kafshë të tjera mund të shohin më shumë se spektri i dritës së dukshme. Bletët përdorin dritën ultravjollcë, ndërsa disa specie gjarpërinjsh arrijnë të shohin nxehtësinë e trupit të presë së tyre me anë të dritës infra të kuqe.

Si përfundim, pretendimi që po qarkullon në rrjete sociale është i pasaktë. Spektri i dritës së dukshme është quajtur i tillë sepse njerëzit mund ta shohin. Pra, ne shohim 100% të spektrit të dritës së dukshme, jo 1%. Ky spektër në vetvete, përbën 0.0035% të spektrit elektromagnetik në tërësi.