Pretendimi: Ekspozimi ndaj radiumit nuk është i dëmshëm për njerëzit. E kanë krijuar panikun që të mos përdoret si burim energjie.

Verdikti: E pavërtetë

————————————————

Në rrjetet konspiracioniste online po qarkullon një video që pretendon se “ata” na kanë gënjyer se elementi kimik radium është i dëmshëm për njerëzit, duke na privuar nga fuqitë mrekullibërëse të këtij elementi. Si dëshmi për këtë, video sjell përdorimet e shumta që radiumi ka patur në të shkuarën.

Radiumi është një element kimik shumë radioaktiv, i cili lëshon rrezatim alfa, beta, dhe gama. 

Ai u zbulua më 1898 nga çifti i shkencëtarëve Marie dhe Pierre Curie. Për të mësuar më shumë për vetitë e elementit të sapozbuluar, Pierre Curie mbajti një tub të mbushur me radium ngjitur me lëkurën e krahut për 10 orë. Kjo shkaktoi shfaqjen e një mase tumorale në lëkurën e tij. Marie Curie vdiq nga anemia aplastike si pasojë e rrezatimit ndaj të cilit ishte ekspozuar gjatë punës së saj.

Disa nga librat dhe letrat e Marie Curie janë ende aq radioaktive sa ruhen në kuti prej plumbi për të ndaluar rrezatimin.

Radiumi është i dëmshëm për njerëzit. Agjencia amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit e klasifikon radumin si një kancerogjen i njohur për njerëzit.

Kur radiumi shpërbëhet, ai prodhon gazin radon dhe nënprodukte si poloniumi, që janë gjithashtu radioaktive. Këto izotope radioaktive mund të dëmtojnë qelizat dhe indet e trupit, duke çuar në dëme të ndryshme për shëndetin, përfshi dhe një rrezik të lartë kanceri dhe leuçemie. Ndërkohë, ekspozimi ndaj niveleve të larta të radiumit mund të shkaktojë anemi, katarakte, kancer dhe vdekjen. 

Radiumi hyn në trup kryesisht përmes frymëmarrjes ose gëlltitjes. Kur ai hyn në trup nga rrugët e frymëmarrjes, mund të qëndrojë në mushkëri ose të hyjë në gjak, duke u shpërndarë në gjithë trupin. Brenda trupit, radiumi sillet si kalciumi, duke u depozituar në kocka. Kjo është edhe arsyeja pse kanceri më i shpeshtë i shkaktuar nga radiumi është kanceri në kocka.

Megjithëse ekspozimi natyral ndaj radiumit ndodh në nivele të ulëta përmes ajrit, ujit dhe ushqimit, ekspozimi domethënës mund të dëmtojë sytë dhe të ndikojë në sistemet e gjakut dhe atë muskuloskeletal. Ekspozimi i lartë rrit rrezikun e kancerit në kocka, mëlçi dhe gjoks.

Në vitet 1920, radiumi përdorej, ndër të tjera, në përbërjen e një boje me të cilën pikturoheshin orat. Punëtoret e fabrikave që lyenin orat me këtë bojë ishin udhëzuar t’i jepnin formë me majë penelëve duke i vendosur tek buzët. Kështu, ato gëlltisnin edhe sasi vdekjeprurëse radiumi. Në 1925, u provua se radiumi kishte helmuar dhjetëra punëtore duke ia shkatërruar trupat nga brenda.

Si pasojë e betejës ligjore të të ashtuquajturave “Vajzave të Radiumit”, ekspertët shkencorë arritën në përfundimin se ekspozimi ndaj radiumit ishte toksik

Megjithatë, ai vazhdoi të përdorej deri në vitet 1960 si pjesë e bojërave shkëlqyese të përdorura në ora, instrumente ushtarake dhe busulla.
Si pasojë e rreziqeve që sjell për shëndetin, përdorimi i radiumit është rreptësisht i rregulluar për të kufizuar ekspozimin ndaj tij. Nënproduktet e shpërbërjes së radiumit, gjithashtu, janë gjetur të përbëjnë rrezik domethënës për shëndetin. Në kohët e sotme, raidumi përdoret kryesisht në mjekësi, gjatë trajtimit të kancerit dhe për imazheri diagnostikuese.