Pretendimi: Shkaku i vërtetë i vdekjeve nga kanceri është kemioterapia dhe helmimi nga rrezatimi
Verdikti: E paprovuar
—————————————————-
Në rrjete sociale, përfshi dhe ato shqipfolëse, po qarkullon video e një burri që pretendon se shkaku i vërtetë i vdekjeve nga kanceri nuk është sëmundja, por kemioterapi dhe helmimi nga rrezatimi që vjen si pasojë e kurave të zakonshme për kancerin.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se burri në video quhet Michael D. Farley. Ai nuk është mjek dhe nuk ka një diplomë mjekësie. Në vend të kësaj, ai mban një “Doktoraturë Mjekësore Naturopatike” nga “Instituti i Studimeve të Amerikanëve Indigjenë.”
Farley pretendon “…në të gjitha autopsitë që kam bërë te pacientët me kancer” shkaku i vdekjes ishte kimioterapia, dhe jo kanceri.
Kimioterapia mund të ketë efekte anësore, por pretendimi se ajo e vret pacientin nuk është i vërtetë.
Gjatë kimioterapisë, ilaçet e shpërndara në trup shkatërrojnë qelizat kancerogjene. Ky mekanizëm mund të prekë edhe qelizat e shëndetshme. Megjithatë, për shkak të ndarjes së shpejtë të qelizave kancerogjene, ato eliminohen në mënyrë më efektive.
Kimioterapia shpëton jetën e qindra mijëra njerëzve në mbarë botën. Rreziku i vdekjes nga ndërlikimet pas trajtimit është shumë i vogël dhe përfitimet (shërimi i sëmundjes, zgjatja e jetës) i tejkalojnë çdo ndërlikim të mundshëm.
Dr. Orges Spahiu, Shef i Njësisë së Radioterapisë pranë Shërbimit Onkologjik, QSUT, tha për Faktoje se: “Trajtimet e bazuara tek evidencat shkencore janë ato që sigurojnë trajtimin efektiv te kancerit. Avancimet e shkencës në fushën e Radioterapisë, Kimioterapisë dhe Kirurgjisë kanë siguruar sot një shërueshmëri të konsiderueshme që për disa lloje tumoresh arrin deri në 99% në varësi dhe të stadit të sëmundjes”.
Doktor Spahiu thotë gjithashtu se dy terapitë kryesore të provuara shkencërisht dhe të çertifikuara ndërkombëtarisht për të luftuar tumoret janë radioterapia dhe kimioterapia. E para përdor rrezatime me energji të ndryshme për të eleminuar qelizat tumorale, duke shmangur në maksimum indet dhe organet e shëndosha përreth. Ndërsa kimioterapia konsiston në barna antitumorale, të cilat nëpërmjet gjakut udhëtojne në gjithë trupin duke luftuar qelizat kanceroze.
Në fund, doktori nuk harron këshillën kryesore për të gjithë lexuesit: “Drejtohuni tek mjeku për çdo shqetësim apo dyshim që keni, dhe mos u beni pre e alternativave të gënjeshtërta. Kurat e kësaj sëmundje janë vetëm ato të provuara shkencërisht”.