Pretendimi: Kryeministri shqiptar Edi Rama është shpallur persona non grata nga ShBA

Verdikti: E pavërtetë

————————————————

Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon lajmi se kryeministri shqiptar Edi Rama u shpall non grata nga ShBA.

Ky pretendim nuk shoqërohet me ndonjë burim apo provë për ta mbështetur atë.

Në fakt, nuk ka asnjë njoftim zyrtar që Departamenti Amerikan i Shtetit që e shpall Ramën persona non grata në faqen e tyre të internetit. Ai nuk përfshihet në listën zyrtare të personave që janë përcaktuar të tillë nga DASh.

Për krahasim, më 19 maj 2021, DASh shpalli ish-kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha si persona non grata për korrupsion. Ky njoftim gjendet lehtësisht në faqen zyrtare të DASh.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sanksionuar një numër jo të vogël zyrtarësh të lartë shqiptarë. Të gjitha këto përcaktime non grata mund të gjenden në faqen e DASh.

Në 2018, DASh shpalli non grata ish-deputetin Tom Doshi për përfshirje në korrupsion të lartë. Një muaj më vonë, ShBA shpalli non grata edhe ish-prokurorin e përgjithshëm Adriatik Llalla për të njëjtën arsye, përfshirje në korrupsion të lartë. Në korrik 2019 u shpall non grata edhe ish kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako. 

Kryeministri Rama, deri në shkrimin e këtij artikulli, ende nuk është bërë pjesë e listës.