Pretendimi: Pak para vdekjes së tij, aktori Paul Walker synonte të denonconte krimet e Fondacionit Clinton kundër fëmijëve në Haiti.

Verdikti: E paprovuar

—————————————————–

Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi se aktori Paul Walker, i cili vdiq në 2013, synonte të denonconte krimet e Fondacionit Clinton kundër fëmijëve në Haiti pak përpara vdekjes.

Si zakonisht, asnjë provë, dëshmi apo burim që mbështet këtë pretendim nuk ofrohet.

Paul Walker vdiq në vitin 2013 pasi makina në të cilën po udhëtonte u përplas me një shpejtësi mbi 160 km/orë dhe shpërtheu në flakë. Walker dhe shoferi, Roger Rodas, u shpallën të vdekur në vendngjarje. 

E vetmja lidhje midis Walker dhe Fondacionit Clinton është se të dy ishin të përfshirë në përpjekjet e ndihmës në Haiti.

Walker themeloi organizatën jofitimprurëse “Reach Out Worldwide” pasi organizoi një ekip ndihmash për t’iu përgjigjur tërmetit të vitit 2010 që shkatërroi Haitin. Sipas faqes së Reach Out, gjatë udhëtimit, Walker pa nevojën për personel të aftë në situatat postkatastrofale dhe krijoi bamirësinë, e cila ndihmon në sjelljen e stafit të emergjencave në zonat e fatkeqësive.

Nuk ka asnjë provë që makina ku vdiq Walker ishte manipuluar. Raporti i zyrës së mjekut ligjor në Los Angeles zbuloi se Porsche Carrera GT po udhëtonte me gati 160 km/orë në momentin kur goditi një shtyllë elektrike dhe disa pemë. Hetuesit përcaktuan se shkaku i përplasjes fatale ishte “shpejtësia e pasigurt për kushtet e rrugës”.

Vajza e Walker, Meadow, ngriti një padi kundër Porsche, duke pretenduar se prodhuesi i makinave kishte marrë vendime gjatë prodhimit që e penguan babanë e saj të mbijetonte nga përplasja. Të dy palët e ranë në marrëveshje në vitin 2017 dhe i mbajtën konfidenciale kushtet e marrëveshjes.