Pretendimi: Forumi Ekonomik Botëror ka premtuar të falë këdo që do t’ja dalë të vrasë presidentin amerikan Donald Trump
Verdikti: E paprovuar
————————————————————————-
Lajmi i pazakontë se Forumi Ekonomik Botëror (wEF) ka premtuar se do të falë këdo që do të arrijë të vrasë presidentin amerikan Donald Trump po qarkullon në rrjet pas zhvillimit të forumit në Davos të Zvicrës.
Postimi duket se i referohet një artikulli të botuar më 27 janar në portalin amerikan The People’s Voice, i njohur më parë si News Punch.
Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, NewsPunch ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.
Sipas artikullit të The People’s Voice, kreu i WEF “Schwab premton të falë këdo që do të vrasë me sukses Trump, sapo globalistët të marrin kontrollin e Shteteve të Bashkuara.”
Si zakonisht, artikulli nuk ofron asnjë lloj prove për këtë pretendim të pazakontë, por vetëm citon një “njeri të brendshëm të WEF”.
Eshtë e paqartë se si Forumi Ekonomik Botëror mund të ofrojë amnisti për dikë që mund të organizojë një vrasje kaq e rëndësishme duke qënë se është vetëm një organizatë joqeveritare. I themeluar në 1971, WEF e përshkruan veten si një fondacion dhe grup mendimi, që ka si mision “përmirësimin e gjendjes së botës duke angazhuar liderë të biznesit, politikë, akademikë dhe të tjerë të shoqërisë për të formësuar axhendat globale, rajonale dhe të industrisë”.
Fondacioni është më së shumti i njohur për takimin e tij vjetor në fund të janarit në Davos, një vendpushim malor në rajonin lindor të Alpeve të Zvicrës. Takimi mbledh së bashku rreth 3,000 anëtarë që paguajnë kuotën e anëtarësisë dhe pjesëmarrës të përzgjedhur – mes të cilëve janë investitorë, udhëheqës biznesi, udhëheqës politikë, ekonomistë, njerëz të famshëm dhe gazetarë.
Në të njejtën mënyrë, duke mos ofruar asnjë provë apo burim veçse “njerëzve të brendshëm” anonimë, The People’s Voice ka botuar një numër artikujsh me pretendime të pazakonta përfshi pretendimin se WEF ka udhëzuar liderët botërore të vendosin ligje të “Moshës së Vdekjes”, WEF po përpiqet të vrasë politikanin rumun Calin Georgescu, dhe se presidenti rus Vladimir Putin ka ekspozuar shpërblimin prej 45 miliardë dollarësh nga WEF për kokën e Donald Trump.