.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookAsnjë avion nuk është rrëzuar në Shqipëri

Asnjë avion nuk është rrëzuar në Shqipëri

Lajmi i publikuar nga portali “main.abntimes24.com” mbi një rrëzimin e një avioni në Shqipëri është i rremë. Faktoje verifikoi se kjo faqe manipulon audiencën jo vetëm me titullin, por duke përdorur një lajm dhe foto të ricikluar. Lajme të tilla aspak etike kanë një impakt të madh te lexuesit, pasi lidhen drejtpërdrejt me jetën dhe sigurinë e tyre.

Portali “main.abntimes24.com” ka publikuar një artikull më 2 tetor, ku raporton për një aksident tragjik me avion, madje pretendon se ka ndodhur në Shqipëri. Për ta bërë edhe më dramatik lajmin, në mënyrë që të tërheqë klikime, kjo faqe online përfshin në titull se mes viktimave ka edhe fëmijë.

Screenshot artikulli i publikuar nga portali

Që në titull, ky lajm të bën të dyshosh mbi seriozitetin e portalit. Gabimet drejtshkrimore dhe mënyra e raportimit aspak etik janë tregues që na bëjnë të ngremë dyshime mbi vërtetësinë e lajmit. Nëse do klikojmë për të parë artikullin të plotë, vëmë re që në fakt brenda në tekst raportohet për një aksident me avion në Australi. Manipulimi i audiencës në këtë rast është shumë i qartë dhe kjo duket sapo lexojmë në rreshtat e parë të lajmit që nuk bëhet fjalë për aksident ajror në Shqipëri.

Ne bëmë edhe një kërkim në Google në lidhje me aksidentin e raportuar në Australi, nga ku rezultoi se në fakt ngjarja tragjike kishte ndodhur që në 19 dhjetor të vitit 2021. Mediat e huaja raportonin asokohe se dy burra dhe dy fëmijë kishin humbur jetën, pasi avioni ishte rrëzuar në brigjet e Queensland (Australi). Më tej, mediat e huaja shtonin se autoritetet po hetonin shkaqet që kishin çuar në këtë aksident tragjik, vetëm pak pasi avioni ishte ngitur nga fusha ajrore Redcliffe, në verilindje të Brisbane.

Lajmi i publikuar nga portali “main.abntimes24.com”, jo vetëm që mashtron lexuesit me një titull të rremë, por edhe riciklon një lajm për nja tragjedi që ka ndodhur rreth një vit më parë. Përpos këtyre, kjo faqe përdor edhe një foto ilustruese që nuk ka lidhje me aksidentin e ndodhur në Australi. Në një kërkim me ‘Google Reverse Image’ zbuluam qe në fakt fotoja e përdorur i përket një aksidenti ajror të ndodhur në San Francisco (Kaliforni) që në vitin 2013.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img