Pretendimi: Sizmologët ngrejnë alarmin për disa tërmete në Shqipëri

Verdikti: E pavërtetë, clickbait

———————————————————-

Një postim në rrjete sociale lajmëron se disa sizmologë kanë ngritur alarm për disa tërmete që pritet të bien në Shqipëri.

Postimi shoqërohet me një artikull me të njejtin titull të botuar në portalin tirana1.com.

Në brendinë e tij, artikulli flet për lëkundjet e tërmetit të ndjera në Konispol, Memaliaj dhe Shëngjergj të Tiranës, më i forti prej të cilëve ishte ai i datës 25 tetor, me magnitudë 4 ballë pranë fshatit Kurjan të Fierit.

Më tej, teksti i artikullit bie në kontradiktë me titullin e tij sensacional kur citon sizmologun Rrapo Ormëni, i cili “ka shpjeguar se, megjithëse këto lëkundje janë të zakonshme, ato zakonisht nuk paraqesin rrezik për popullatën.”

Ormëni citohet gjithashtu të ketë thënë: “Tërmete të tilla, deri tek magnituda 4, janë tërmete të cilat nuk dëmtojnë. Kur kalojnë magnitudën 4.5 japin dëmtime te lehta vetëm në zonën epicentrale, suva, plasaritje të lehta etj, pra janë tërmete të padëmshme dhe të paefektshme.”

Ai thotë gjithashtu se “në këtë rast nuk ka vend për asnjë lloj shqetësimi as në zonën epicentrale, sepse tërmete tek niveli 4 ose dhe 4.5 janë tërmete që bien në të gjitha pjesët e territorit të vendit tonë, sepse është vend me aktivitet sizmik, dhe këto quhen tërmete të vegjël ose mikrasizmise, të cilët nuk paraqesin asnjë problem për popullatën, për dëmtime, por që bëjnë mirë që çlirohen në formën e tërmeteve të vogla.”

Qartazi, sizmologu në artikull nuk ngre asnjë lloj alarmi, madje e kundërta. Megjithatë, fjalët e tij janë keqpërfaqësuar nga titulli sensacionalist i artikullit me qëllim tërheqjen e vëmendjes së lexuesve dhe mbledhjen e klikimeve. Ky titull përhap panik të panevojshëm dhe dezinformon.