Një artikull i portalit sot.com.al pretendon se presidenti amerikan Joe Biden po përpiqej t’i tregonte “muskujt” presidentit rus Vladimir Putin sepse gjatë vizitës së Biden në Londër, u shfaqën “Çantat Bërthamore” që mbajnë kodet për lëshimin e armëve bërthamore të ShBA.
Si fillim, titulli i artikullit bie ndesh me brendinë e tij, dhe realitetin, kur thotë se çantat bërthamore u shfaqën “në samitin e NATO-s”. Në të vërtetë, këto çanta u panë kur Biden po largohej nga zyra e kryeministrit britanik Rishi Sunak, 10 Downing Street, në Londër.
Pretendimi se shfaqja e “çantave bërthamore” ishte një mesazh ndaj presidentit rus Putin, të cilin portali sot.com.al duket se e ka marrë shabllon nga tabloidi britanik The Sun, duhet vendosur në kontekst.
Siç pranon edhe vetë teksti i artikullit, detaji kyç që duhet thënë është se çantat, që janë pagëzuar “topi i futbollit bërthamor”, e shoqërojnë presidentin amerikan kurdo që ai është larg Shtëpisë së Bardhë, në rast se atij i duhet të vendosë të përdorë armët bërthamore në rast emergjence kombëtare. Në fakt, i gjthë qëllimi i ekzistencës së këtyre çantave është të ndjekin presidentin kudo që ai shkon. Kështu, shfaqja e tyre gjatë vizitës së Biden në Londër nuk është diçka e pazakontë.
Shfaqja e “topit të futbollit nuklear” në publik, njësoj, nuk është diçka e pazakontë. Në fakt, gjatë administratës së presidentit Donald Trump, çantat bërthamore, të mbajtura nga një oficer ushtrie, u postuan edhe në rrjetet sociale të Richard DeAgazio, i cili postoi foton e tij me oficerin gjatë qëndrimit në resortin e Trump, Mar-a-Lago.
Çanta bërthamore e mbajtur nga një oficer ushtrie ndërsa presidenti Trump largohet nga zyrat e CIA, 21 janar 2017
Gjatë vizitës së tij në Bashkimin Sovietik në 1988, presidenti Ronald Reagan kishte me vete çantat bërthamore, të mbajtur nga komandant toger Woody Lee, në Sheshin e Kuq
Presidenti George H. W. Bush shoqërohet nga çantat bërthamore, mbajtur nga majore Michelle D. Johnson, duke bërë vrap në Missouri, 1992.
Një koleksion fotografish të “topit të futbollit nuklear” në publik ndër vite mund të gjendet këtu.