.

.

BallinaPertejAskush nuk ndaloi makinën, çmimi i naftës "rend i qetë" drejt shtrenjtimit

Askush nuk ndaloi makinën, çmimi i naftës “rend i qetë” drejt shtrenjtimit

MERXHAN DACI

Një nismë ligjore e qeverisë paralajmëron sipas ekspertëve tjetër rritje të çmimit të naftës në Shqipëri. Ende pa këtë rritje, një litër naftë kushton 176 lekë, thuajse aq sa në Francë, ku paga mesatare është 6 herë më e lartë se ajo në Shqipëri. Vendi i BE u bë shembull protestash me aksionin e “jelekverdhëve” ndërsa në Shqipëri një thirrje për protestë në rrjetet sociale kaloi në indiferencë të plotë.

Foto: Jurgen Bame

————————————————————————————————————————————————————-

Ora 12:00, 15 korrik 2019.

Në rrethrrotullimin “Zogu i Zi” në kryeqytet qarkullimi vijon normalisht. Përveç ndonjë rasti kur polici i trafikut më shumë e përkeqëson situatën sesa e ndreq, makinat nuk ndalen. Nisma në rrjetet sociale për fikjen e makinave në shenjë proteste, pas lajmit se po përgatitet rritje e re e çmimit të naftës, nuk bindi askënd të protestonte.

Qeveria ka publikuar këto ditë një projektligj për krijimin e rezervave të sigurisë së naftës. Ajo që ka shkaktuar debat është fakti që kjo do të shoqërohet me një rritje të çmimit të naftës dhe nënprodukteve të saj teksa Shqipëria, edhe pa këtë rritje renditet ndër vendet me çmimin më të shtrenjtë në botë për këtë produkt.

Çfarë është ky projektligj?

Projektigji për rregullimin e rezervës shtetërore, me fjalë të thjeshta do të thotë se qeveria ngre një mekanizëm për të krijuar një rezervë me naftë dhe nënproduktet e saj për furnizimin e popullsisë në raste të jashtëzakonshme si përshembull embargot.  Ekspertë të ekonomisë e konsiderojnë këtë lëvizje, një aferë të qeverisë dhe parashikojnë se ajo do të shtojë shpenzimet e qytetarëve.

Pano Soko, ekspert i ekonomisë, aktivist për çështjet e naftës, thotë për “Faktoje” se prezantimi i këtij projektiligji ndryshon të gjithë metodologjinë e mbajtjes së rezervës me pasojë varfërimin e qytetarëve.

Këtu është problemi, nga detyrimi për t’u mbajtur nga kompanitë private të cilat tregtojnë naftë dhe benzinë deri sot, tashmë shteti do të angazhojë një agjenci të re që do të përgjigjet drejtpërdrejt për ruajtjen e rezervës shtetërore, do ta blejë produktin në tregun e lirë dhe angazhohet për ruajtjen e saj gjatë gjithë kohës”, thotë Soko.

Niveli i transaksionit të përfshirë në këtë operacion ekonomik shkon diku në 10% të buxhetit vjetor të shtetit, ose 300 mln euro që është një shumë e madhe. Rezerva shtetërore nuk ofron asgjë të mirë për qytetarët, përveçse kemi një aferë që do të përfshijë blerjen dhe tenderimin e sasive të naftës dhe benzinës që do të ruhen si rezervë, por edhe koncensionimi që do t’i bëhet ruajtjes së saj ndër vite”.

Zef Preçi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike sheh një koncesion të fshehur, përtej kësaj nisme të qeverisë, pas të cilës qëndrojnë interesa të oligarkëve klientë të ekzekutivit, teksa tregu i naftës vuan nga probleme të tjera madhore.

Nëse do të kishte vullnet politik dhe profesionalizëm, qeveria fare mirë mund të përmirësojë funksionimin e sistemit ekzistues, të detyrojë kompanitë të garantojnë rezervën e sigurisë sipas ligjit”, thotë Preçi duke shtuar se tregu i naftës problemet e vërteta i ka te lidhura me situatën oligopolistike, cilësinë, peshëmatjen, mungesën e politikave që mundësojnë investimet në përpunimin e naftës së nxjerrë nga nëntoka shqiptare dhe evazionin fiskal.

Sa do të rritet çmimi i naftës dhe a e përballojnë dot shqiptarët?

Qeveria shqiptare parashikon të aplikojë një tarifë për naftën e cila do të paguhet në formë akcize në doganë për naftën e importuar dhe për atë të prodhur në vend. E gjitha kjo sipas ekspertëve sjell si pasojë rritjen e çmimit të naftës.

Vlerësimet optimale tentojnë të shkojnë tek një shifër nga 5-20 lek për liter, por do të përcaktohet nga Vendimi i Këshillit të Ministrave. Fakti që Këshilli i Ministrave përcakton një format taksimi, bie në kundërshtim me Kushtetutën që thotë se të gjitha taksat bëhen me ligj dhe jo me VKM”, thotë Pano Soko.

Çmimi aktual i naftës është shumë i lartë krahasur me të ardhurat e qytetarëve, sipas ekspertit, ndaj çdo tentativë për ta rritur sipas tij është shumë e dëmshme, jo vetëm për konsumatorin por edhe për biznesin dhe investitorët.

Çmimi prej 1,5 apo 1,6 euro për litër që e kemi ne, në krahasim me të ardhurat mesatare prej 350 eurosh të një shqiptari në muaj është shumë i shtrenjë dhe i papërballueshëm. Pas tarifës, çmimi i biletave dhe shumë mallrave e shërbimeve pritet të rriten, dëmi do të jetë i madh”, thotë Soko.

Edhe Zef Preçi mendon se kjo tarifë e re mbi karburantet cënon më tej nivelin e jetesës së familjeve shqiptare duke i varfëruar më shumë ato ndërkohë që  përkeqëson aftësinë konkurruese të ekonomisë.

Pse Shqipëria e ka naftën të shtrenjtë?

Sipas “Global Petrol Prizes”, Shqipëria momentalisht renditet e 11-a në listën e vendeve për shtrenjtësinë e naftës në botë.

*Vlerat janë në lekë

Për ironi, vendi ynë rezulton me çmim thuajse të njëjtë me Francën, kryeqyteti i të cilës u kthye në arenë dhune ekstreme nga protesta e jelekverdhëve, që kundërshtojnë në rritjen e çmimit të karburantit. Por ndërsa për naftën Franca dhe Shqipëria shkojnë paralel, nuk ndodh kështu me rrogat, pasi një francez merr pagë mesatare mujore gjashtë herë më të lartë se një shqiptar.

Të gjitha vendet e rajonit e kanë zyrtarisht çmimin e naftës më të ulët se Shqipëria edhe pse një vend ku kërkohet dhe prodhohet ky produkt.

Sipas ekonomistit Pano Soko, shkak për çmimin e lartë të naftës në Shqipëri është barra e lartë e taksve.

Edhe pse jemi vend prodhues, kemi një akcizë prej 37 lekësh për litër, plus 30 lek për litër taksa kombëtare, e çojnë taksimin e drejtpërdrejtë në 67 lekë për litër, i cili është nivel shumë i lartë në krahasim me vendet e rajonit. Maqedonia akcizon në masë 0,2 euro për litër, ne e kemi 3-fish më të shtrenjtë”, shpjegon Soko.

Çmimi i naftës dhe nënprodukteve të saj ka njohur rritje të vazhdueshme në vite në Shqipëri. Ekzekutivi nuk është zmbrapsur të rrisë çmimin e naftës edhe nga protestat sporadike që e kundërshtojnë.

Një nga oponentët kryesorë që ka reaguar është Konfindustria e cila njoftoi se do t’i kërkojë zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë të mos miratojë në asnjë rast akte ligjore, që parashikojnë  rritjen e mëtejshme të barrës fiskale në formën e taksave dhe tarifave mbi karburantet.

Shtrenjtimi i karburantit nuk ka të ndalur, edhe pse Shqipëria është mes vendeve me rezervat më të mëdha të naftës në Europë. Ndërkohë vendimmarrjet për këtë çështjë me rëndësi jetike për qytetarin, bëhen në komoditet të plotë nga qeveria.

Përse-ja e këtij fenomeni mund të gjendet tek e hëna e 15 korrikut, në rrethrrotullimin “Zogu i Zi”, kur shoferët as u kujtuan për të ndalur makinat e tyre, të cilat edhe sot i furnizojnë duke sakrifikuar.

Për sa kohë askush nuk reagon, autoritetet do të vazhdojnë të pashqetësuara rritjen e çmimit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img