Pretendimi: Në kampin nazist të Treblinka nuk është gjetur asnjë kufomë hebreje pas një ekzaminimi të nëntokës

Verdikti: Mungon konteksti

————————————-

Mohimi i Holokaustit nuk është një risi në Evropë, por mesa duket me konfliktin e fundit në Gaza dhe rritjen e antisemitizmit, po ndahet edhe në rrjetet shqipfolëse. Kjo narrativë  pretendon se shfarosja në masë e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore nën regjimin nazist është një stisje, apo ekzagjerim, ngahera e shpikur nga vetë hebrenjtë për t’u viktimizuar në sytë e historisë.

Si pjesë e kësaj narrative, po qarkullon pretendimi se një ekzaminim i tokës nën kampin famëkeq nazist në Treblinka, Poloni, ku mendohet të jenë vrarë 700-900 mijë hebrenj dhe 2000 romë, nuk ka gjetur asnjë kufomë.

Postimi i mësipërm i referohet “një inxhinieri elektronik me përvojë, Richard Krege”, i cili kërkoi nëntokën e kampit në 1999.

Sipas Institutit të Rishikimit Historik, një organizatë që promovon mohimin e Holokaustit, në Tetor 1999, një skuadër me në krye Richard Krege “ekzaminoi hollësisht të gjithë truallin e Treblinka II, veçanërisht pjesën e ‘varreve masive’” dhe “nuk gjeti zhvendosje të dheut konsistente me groposjen e qindra mijëra trupave, madje as prova se dheu ishte zhvendosur ndonjëherë. Më tej, Krege dhe ekipi i tij nuk gjetën prova të varreve individuale, mbetje kockore, hi njerëzish, apo hi druri.”

Kampi i Treblinka ishte kampi i dytë më vdekjeprurës në Poloninë e pushtuar nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, pas kampit Auschwitz-Birkenau. Ai operoi nga 23 korrik 1942 – 19 tetor 1943. 

Pas një revolte të burgosurish në gusht 1943, nazistët e demontuan kampin gjatë dimrit të atij viti. Me tullat e ndërtesave të kampit u ndërtua një shtëpi mbi truallin dhe toka u lërua për të fshehur provat e genocidit.

2012, një ekip arkeologësh nga Universiteti i Birmingham, drejtuar nga Caroline Sturdy Colls, përdorën të njejtën teknikë që Krege pretendon se përdori në 1999, radar që depërton dheun, për të kërkuar vendvarrime në kampin e Treblinkës.

Sipas profesoreshë Sturdy Colls, ekipi identifikoi “një numër gropash të mbuluara duke përdorur teknika gjeofizike. Këto janë të masave të konsiderueshme, dhe shumë të thella, njëra në veçanti është 26 me 17 metra.”

Ekipi identifikoi pesë gropa të tjera të madhësive të ndryshme dhe të paktën 4 metra të thella. Duke konsideruar madhësinë dhe vendndodhjen e tyre mund të supozohet se ato përfaqësojnë vendvarrime. 

Për respekt të të vdekurve dhe traditave hebraike, në Treblinka nuk janë kryer gërmime dhe dheu nuk është zhvendosur. Për të inspektuar nëntokën janë përdorur teknika gjeofizike si radari që penetron tokën. Megjithatë, sipas Sturdy Colls, këto metoda nuk mund të detektojnë kufomat. Kështu, Krege nuk mund të kishte detektuar kufoma me radarin e tij në 1999 në çdo rast.

Fotografi nga viti 1945 të kampit tregojnë qartazi dheun e zhvendosur dhe kocka njerëzish të përhapura përreth si pasojë e bastisjes së varreve nga vendasit që kërkonin sende me vlerë që i përkisnin të vdekurve.

Kampi i shfarosjes Treblinka, verë 1945

Raporte zyrtare të 1945 gjithashtu konfirmojnë se varre masive u gjetën në kampin Treblinka.

Në 1964 dhe 1965, 11 persona u akuzuan për krime kundër njerëzimit në kampin Treblinka.