Lajmi i publikuar në rrjet ku pretendohet se ka ndërruar jetë Alfred Cako është i rremë. Faktoje kontaktoi me zotin Cako, i cili konfirmoi se gëzon shëndet të plotë dhe u shpreh i habitur për këto artikuj në mediat online. Portalet abuzojnë me mënyrën e raportimit, pasi titulli i lajmit nuk ka asnjë lidhje me tekstin në brendësi.
—————————————————————————————————————————-
Alfred Cako na ka habitur të gjithëve me analizat vizionare dhe teoritë konspiracioniste për botën. Por pavarësisht gjithë kësaj eksperience në parashikimin e së pamundurës, edhe ai vetë nuk e kishte menduar dhe ka mbetur i habitur se si e kanë paraparë portalet vdekjen e tij. Në faqen e internetit “main.abntimes24.com”është shpërndarë një informacion , ku pretendohet se është ndarë nga jeta konsipiracionisti Alfred Cako. “Bie Nga Shkallet E Top Chanel, Nd erro n Jete Alfred Cako”, shkruan portali në fjalë në artikullin që mban datën 2 tetor.
Screenshot artikulli i publikuar nga portali
Artikulli ka disa elementë që ngrenë dyshime mbi vërtetësinë e tij. Së pari, gabimet drejtshkrimore në titull janë një detaj shumë i rëndësishëm për të kuptuar seriozitetin e një medie online. Nëse do të shohim në brendësi të artikullit, vihet re që titulli i lajmi nuk ka aspak lidhje me tekstin.
Screenshot artikulli i publikuar nga portali
Teksti i referohet një postimi që është bërë nga Cako në lidhje me konfliktin Rusi-Ukrainë dhe në asnjë rresht nuk flitet për gjendjen e tij shëndetësore dhe “rrëzimin nga shkallët”. Madje, gabimet drejtshkrimore dhe hapësirat e panevojshme mes fjalëve janë të shumta edhe në brendësi të tekstit.
Për të hequr çdo dyshim mbi këtë rast, “Faktoje” kontaktoi me zotin Cako, i cili u shpreh se gëzon shëndet të plotë, duke e cilësuar artikullin e portalit si “një gënjeshtër idiote”.
Një tjetër portal që e ka publikuar këtë lajm të rremë është edhe: og1.active24live.com. Madje, në këtë faqe internet është publikuar që më 17 korrik të këtij viti.
Ky lajm është një prej rasteve ku abuzimi me informacionin shkon përtej çdo limiti. Sot kushdo ka mundësinë që të shpërndajë një informacion në internet, por kurrsesi nuk duhet abuzuar duke cënuar jetën dhe lirinë e një personi tjetër.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin