Pretendimi: KQZ i hoqi Fredi Belerit mandatin që nuk e kishte
Verdikti: Mungon konteksti
Nevila Gjata
Shpallja e pavlefshme e mandatit të fituar pas hekurave të burgut për Alfred Belerin, kryetarin e bashkisë Himarë, do të vijojë të ngjallë debat. Megjithatë, të gjithë palët pro dhe kundër po diskutojnë për procedurën dhe të drejtën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të marrë një veprim të tillë.
Përkundër këtij debati të zjarrtë jurisprudence dhe diplomacie mes Shqipërisë dhe Greqisë, është normale që të ketë edhe keqinterpretime mediatike. Një prej tyre është dhe lajmi i publikuar në profilin në Facebook të TVA News, i cili pretendon se “Fredi Belerit iu hoq mandati që nuk e kishte”. Ky postim ka marrë mbi 53 mijë shikime dhe komente të shumta, mes të cilëve disa e cilësojnë këtë si një “çudi shqiptare”.
Në të vërtetë, Beleri dhe mbrojtja e tij nuk pretenduan për asnjë moment se nuk kishte fituar mandatin e bashkisë. Përkundrazi, me kërkesa të ndryshme në gjykata u kërkua e drejta për të kryer betimin dhe nisur punën si kryetar, edhe pse ndodhej nën hetim për blerjen e votave.
Pavarësisht arrestimit nga policia në 12 maj, dy ditë para zgjedhjeve vendore të 14 maj 2023, Alfred Beleri u shpall fitues me vetëm 19 vota diferencë nga rivali i tij, Jorgo Goro. Deri në shpalljen fajtor me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit, Beleri mund nuk konsiderohej në shkelje të legjislacionit shqiptar për të përfituar mandatin e kryetarit të bashkisë.
Si rrjedhojë, në mbledhjen e datës 25 maj 2023, Komisioneri Shtetëror, Ilirjan Celibashi, miratoi “Dhënien e mandatit të Kryetarit të Bashkisë Himarë, Qarku Vlorë, z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri, të propozuar nga subjekti zgjedhor Koalicioni “Bashkë Fitojmë ”.
Vendimi i dhënies së mandatit të kryetarit të bashkisë Himarë
Sigurisht, pas këtij mandatimi, kryetari i zgjedhur nuk mundi të siguronte lejen e nevojshme nga autoritetet e Burgjeve për të kryer betimin para këshillit bashkiak të Himarës, procedurë e cila, do të bënte efektiv fillimin e mandatit.
Gjatë muajve në vijim u ndërmorën një sërë ankesash për të mundësuar betimin e kryetarit të mandatuar Beleri. Ky diskutim vijoi deri në seancën e 5 korrik 2024, kur po i njëjti institucion që e mandatoi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vendosi shpalljen të pavlefshme të mandatit “për shkak të ndalimit që vjen nga ligji 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
Argumentat e palëve dhe ngërçi juridik në këtë rast të paprecent është trajtuar më gjerësisht në një artikull të mëparshëm të Faktoje.al.