Alex Soros nuk ka thënë se do të spastrojë internetin nga konservatorët. Përkundrazi, trashëgimtari i George Soros është shprehur si mirëkuptues i atyre që mendojnë ndryshe nga ai dhe përkrahës i fjalës së lirë.

———————————————–

Familja Soros mbetet një nga gogolët më të plotfuqishëm për konspiracionistët. Pas kalimit të perandorisë multimiliardere nga George Soros tek i biri, Alex Soros, ky i fundit duket se ka zëvendësuar të atin si shënjestër e teorive konspirative.

Pretendimi më i fundit për të, megjithatë, nuk e ka kompleksitetin e nevojshëm për t’u quajtur teori konspirative, dhe duket se është thjesht një gënjeshtër.


Lajmi, i botuar fillmisht nga portali The People’s Voice (më parë i njohur si NeësPunch), se “Alex Soros zotohet të zhdukë konservatorët nga interneti” është shpërndarë edhe në rrjetet sociale shqipfolëse.

Portali NewsPunch, i cili e ka ndryshuar tashmë emrin në The People’s Voice, është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, NewsPunch ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.

Duket se edhe lajmi se Alex Soros ka thënë në një intervistë se ai do t’i “shfarosë konservatorët nga interneti” dhe që ai është “100 herë më i keq se i ati” është një lajm i rremë.

Për të bërë këtë pretendim, artikulli i The People’s Voice i referohet një interviste që Soros ka dhënë për Wall Street Journal. 

Për të verifikuar këtë pretendim, “Faktoje” lexoi intervistën në fjalë. Në asnjë pjesë të saj, Soros nuk premton të spastrojë konservatorët nga interneti, apo se ai do të jetë shumë më i keq se i ati. 

Madje, në intervistë, ai deklaron: “Ana jonë duhet të përmirësohet në të qenit më patriotikë dhe gjithëpërfshirës. Vetëm sepse dikush voton për Trump nuk do të thotë që ai është i humbur apo racist.”

Për më tepër, Soros thotë se beson që liria e fjalës është shtypur, në universitete dhe më tej. “Unë ndryshoj disi nga brezi im sa i përket lirisë së fjalës dhe gjëra të tjera – unë jam rritur duke parë Bill Maher para se të flija, në fund të fundit.”