Pretendimi: Kryeministri kosovar Albin Kurti është thirrur për të dëshmuar nga Prokuroria Speciale në Hagë
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————
Më 12 dhjetor, një sërë mediash shqipfolëse raportuan se kryeministri kosovar Albin Kurti ishte thirrur si dëshmitar nga Prokuroria Speciale në Hagë.
Artikujt e mësipërm citojnë si burim një postim në rrjete sociale nga zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Postimi i Kryeziut më 11 dhjetor njofton se “ka ardhur një ftesë për [kryeministrin Kurti] nga Prokuroria Speciale.” Postimi nuk përmend Hagën në asnjë fjali. Më tej, ai shoqërohet me dokumentin e thirrjes në fjalë, i cili mban emrin, kokën dhe vulën e Prokurorisë Speciale në Kosovë.
Kontaktuar nga Faktoje, Kryeziu konfirmoi se “fjala është për Prokurorinë Speciale në Kosovë.”
Shënim:
Data 16 dhjetor 2024 faqja noa.al ka korrigjuar tekstin e postimit duke ndryshuar informacionin pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar.