Një verifikim i Faktoje lidhur me një udhëtim të pretenduar të kryetares së re të Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, ngritur nga portali Pamfleti.net ka nxitur një shkrim keqinformues, të publikuar nga i njëjti portal. Portali në fjalë akuzon Faktoje-n se është ‘përpjekur të pastrojë damkën e vizitës së shefes së SHISH, Vlora Hyseni’. Në fakt, akuzat e Pamfleti.net vijojnë të ngrihen duke mos ofruar asnjë dokument apo burim të verifikueshëm, përpos disa pretendimeve të reja që lehtësisht bien në fushën e spekulimeve.
Jona Plumbi
Lajmi për udhëtimin e pretenduar të kryetares së SHISH, Vlora Hyseni në Serbi gjatë muajit Maj u prezantua nga Pamfleti.net si artikull investigativ, mbështetur mbi burime konfidenciale. Kjo hipotezë zuri vend edhe në deklarata publike dhe të pabazuara në fakte, nga ligjvënës. Për t’i shpërbyer misionit të saj, Faktoje.al vendosi të kryejë verifikimet e mundshme sipas metodologjisë së paracaktuar për kontrollin e fakteve. Pamfleti.net këtë verifikim nuk e priti fort mirë.
Në artikullin e publikuar në datën 9 qershor 2023, Faktoje njoftoi një përgjigje të marrë nga Shërbimi Informativ i Shtetit, lidhur me udhëtimin e pretenduar të Hysenit në Serbi. Deri në publikimin e kësaj përgjigjeje, institucioni në fjalë nuk ishte shprehur mbi ngjarjen, edhe pse opozita kishte njoftuar se kishte kërkuar prej tij informacion zyrtar.
Duket se publikimi i përgjigjes së SHISH për Faktoje, nuk i është dukur i besueshëm Pamfletit, që akuzoi se artikulli “nuk e ka faktuar këtë mohim, me publikimin e përgjigjes zyrtare që pretendon se ia ka dërguar SHISH”.
Faktoje po zbardh më poshtë vërtetësinë e kësaj përgjigjeje, duke shpresuar edhe në edukimin e gazetarëve anonimë të Pamfletit, me praktikën e kërkesave zyrtare për informacion.
Si fillim, në faqen zyrtare të Shërbimit Informativ Shtetëror, në seksionin e Programit të Transparencës, njoftohet kontakti i Koordinatorit për të Drejtën e Informimit.
Adresa e postës elektornike për të kërkuar informacion nga ky institucion, shfaqet publikisht në faqen zyrtare të SHISH. Pikërisht në këtë adresë, Faktoje dërgoi formularin tip që institucionet kërkojnë për të trajtuar kërkesat për informacion, në datën 1 Qershor.
Edhe pse artikulli i Faktoje ka publikuar dokumentin e kërkesës për informacion të plotë, data e dokumentit ka “hutuar” gazetarët e Pamfletit.
“Kërkesën për informacion te SHISH, portali “Faktoje.al” e ka bërë më 6 qershor” – shkruan Pamfleti.
Ky pretendim është i gënjeshtërt, pasi vetë imazhi i përdorur në artikullin e pamfletit tregon se data e kërkesës është 06.01.2023.
Si duket edhe nga emaili më sipër, por edhe nga vetë dokumenti i kërkesës për informacion, në fakt, data e këresës është 1 Qershor dhe jo 6 Qershor. Në 6 Qershor, Faktoje mori përgjigje nga SHISH, tekstin e së cilës e publikoi në këtë artikull.
Për ta bërë më të besueshme për Pamfletin, Faktoje po e tregon hap pas hapi vërtetësinë e kësaj përgjigjeje, që Pamfleti mund ta kishte marrë lehtësisht nëse do ishte interesuar pranë Faktojes për verifikim të mëtejshëm.
Nisur nga akuzat e pabazuara në fakte të ngritura në këtë artikull të Pamfleti.net si dhe nga leximi i gabuar në rastin më të mirë, apo dashakeq në rastin më të keq, të kërkesës për informacion dhe përgjigjes së marrë nga Faktoje, mund të thuhet se artikulli i Pamfletit është një goditje e pajustifikuar e medias në vend.