.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëAktorja Yllka Mujo “viktimë” e konfuzionit të portaleve 

Aktorja Yllka Mujo “viktimë” e konfuzionit të portaleve 

Aktorja e njohur shqiptare Yllka Mujo nuk është ndarë nga jeta. Lajmi i publikuar ditët e fundit nga portalet rezulton një ngatërresë mes aktores dhe një prej personazheve të luajtur prej saj, partizanes së plagosur në filmin “Malet me blerim mbuluar”.

PortaliSot.com” ka publikuar më 17 shtator një lajm për ndarjen nga jeta të një aktore shqiptare, të shoqëruar edhe me foton e aktores Yllka Mujo. 

Humbje e madhe! Ndërron jetë aktorja e madhe shqiptare, personazhi i njohur si ‘Lilo Labja’ në filmin shqiptar ‘Malet me blerim mbuluar”, thuhet në titullin e artikullit.

Screenshot, lajmi i publikuar nga portali

Por mjafton të lexosh tekstin e lajmit më në brendësi për të mësuar se aktorja Mujo gëzon ende shëndet të plotë. Në fakt ngushëllime duhet të shkojnë për ndarjen nga jeta në moshën 95-vjeçare të ‘Mesarete Imeraj (Karagjozi) që njihet nga shqiptarët si Lilo Labja’. Artikulli jep pak detaje në lidhje me këtë humbje, duke krijuar konfuzion dhe çorientuar lexuesit. 

Për të informuar në mënyrë të saktë lexuesit, “Faktoje” vendosi të bëjë një verifikimit të lajmit në fjalë. Gjatë një kërkimi në Google rezulton se zonja Mesarete Imeraj ishte një veterane shqiptare, e cila mbeti e plagosur në luftën kundër nazistëve, kur ishte vetëm 17 vjeçe. Në një intervistë të dhënë për mediat në korrik të vitit 2017, ajo rrëfente vështirësitë e luftës kur ishte partizane si dhe momentin e plagosjes në fushë-betejë.

Historia e saj është përjetësuar në filmin shqiptar “Malet me blerim mbuluar”, ku roli i “Lilo Labes” është luajtur nga aktorja e njohur, Yllka Mujo. Jeta dhe veprimtaria e partizanes është sjellë mjeshtërisht në film nga Yllka Mujo, por vetë, e ndjera Mesarete Imeraj nuk ka qenë asnjëherë në jetën e saj aktore. 

Artikuj të tillë informojnë në mënyrë jo korrekte publikun dhe krijojnë situata paniku dhe dhimbje për dashamirësit e artit, por edhe njerëzit e njohur. Të ndodhur në këtë rrëmujë informimi, një pjesë e lexuesve kanë shpërndarë lajmin në rrjetet sociale, duke shprehur dhimbjen me bindjen se kishte humbur jetën aktorja Mujo.

Screenshot, lajmi i shpërndarë nga lexuesit

Mirëpo, kishte edhe nga ata lexues që kanë reaguar për artikullin, duke e cilësuar si të rremë dhe denoncuar atë publikisht. Portali në fjalë e ka korigjuar më pas gabimin ne lajmin e publikuar. 

Screenshot, komentet e lexuesve për lajmin në fjalë

 

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img