Ngjyrosja e shatërvanëve në qytetin e Strasburgut nga aktivistët e mjedisit nuk shkaktoi ngordhjen e peshqve në lumenjtë e zonës, ashtu si raportohet në rrjetet sociale. Autoritetet francize konfirmuan se lënda e përdorur në këtë proteste nuk ishte e dëmshme.
Postime të shpërndara në rrjetet sociale në Shqipëri pretendojnë se për shkak të një proteste të ambjentalistëve që ngjyrosën me bojë fosforeshente ujërat e shatërvanëve në qytetin e Strasburgut, u krijuan një katastrofë ekologjike.
“Në Francë, aktivistët mjedisorë rilyen ujin në shatërvanë dhe kanale me ngjyrë të gjelbër dhe donin të tërhiqnin vëmendjen e publikut për problemin e zhdukjes masive. Për shkak të veprimit të tyre, peshqit filluan të ngordhnin”, shkruan në 21 shtator një përdorues i Facebook. Postimi shoqërohet me disa foto të peshqve të ngordhur në lumenjtë e Strasburgut në Francë dhe zonës përreth.
I njëjti postim është ndarë edhe nga grupe të tjera që kanë vënë në lojë aksionet e ambjentalistëve që duke protestuar shkaktojnë më shumë dëme ndaj mjedisit.
Ngjarja në fakt është e vërtetë, por e keqintepretuar.
Prej muajsh aktivistët e “Extinction Rebellion Strasburg”, organizatës që mori përsipër aksionin e ngjyrosjes së 18 shatërvanëve dhe kanaleve në zonën e Strasburgut, janë duke protestuar kundër konservimit të 42,000 tonë mbetjeve toksike (asbest, arsenik, cianid) në një minierë të vjetër potasi. Projekti Stocamine ngjall shumë dyshime për shkak se zona e aprovuar nga qeveria franceze, Wittelsheim, ndodhet pranë një nga burimeve më të mëdha të ujit në Evropë, duke rrezikuar sipas protestuesve ndotjen e mundshme të ujërave nëntokësore dhe ujit të pijshëm të 7 milionë zviceranëve, francezëve dhe gjermanëve.
Në 16 shtator, aktivistët hodhën gjatë natës një substancë të gjelbër në ujin e shatërvanëve kryesore të qytetit turistik si dhe disa prej kanaleve të vizitueshme të zonës përreth, si një mënyrë për të tërhequr vëmendjen e qytetarëve.
Aksioni shkaktoi edhe shumë zëra kundër, dhe një prej tyre, ishte dhe kryetari i bashkisë së Colmar, një qyteti pranë Strasburgut, Eric Straumann, i zgjedhur nga partia konservatore republikane. Në një postim të zjarrtë në Facebook të publikuar të dielën dhe të transmetuar nga “Le Parisien”, zyrtari i zgjedhur ndau një imazh nga afër të një peshku të ngordhur dhe pretendoi se një individ ishte arrestuar. Kjo është dhe foto e bërë virale dhe e ndarë edhe në postimin në shqip të ngjarjes.
Deklarata e kryetarit të Colmar duket se ka qënë e pasaktë. Vetë aktivistët, të cilët 2 vite më parë kishin ndërmarrë një aksion të ngjashëm, shpjeguan se produkti për të ngjyrosur ujin është i biodegradueshëm dhe krejtësisht i padëmshëm për faunën dhe florën, i përdorur për të zbuluar rrjedhjet e nëndheshme dhe në mjedise mjekësore.
Raportimet dhe verifikimet e mediave franceze gjithashtu tregojnë se produkti i derdhur në Launch në Colmar, fluoresceina nuk është toksik. Produkti përdoret si një shënues vizual për të gjurmuar rrugët ujore nëntokësore.
Në lidhje me këtë shqetësim, Shërbimi i Departamentit të Zyrës Franceze të Biodiversitetit (OFB) kreu hetime ditën që ndodhi ngyrosja e ujërave. Niveli i oksigjenit të tretur, pH, përçueshmëria dhe shkalla e ngopjes me oksigjen u matën në rrjedhën e sipërme dhe të poshtme të derdhjes së produktit.
“Nuk ka asnjë ndikim të fluoresceinës në këto parametra”, thekson Eric Krauser, kreu i shërbimit të departamentit të OFB në rajonin e Haut-Rhin.
Për më tepër, peshqit që notonin në sipërfaqen e ujit ishin raportuar të ngordhur disa ditë përpara veprimit të aktivistëve.
Ngordhja e tyre lidhet më tepër me kushtet klimatike të ditëve të fundit. Një periudhë vape u pasua nga reshje të dendura shiu dhe mund të ketë krijuar ndotje të përkohshme të rrjedhës së ujit.